Veliaj kërkon të operohet në një spital që e zgjedh vetë, GJKKO e rrëzon: Ndërhyrja të kryhet aty ku e përcaktojnë “Burgjet”
Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë për karburantet në vend. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar këtë të martë, më 24 nëntor 2026, në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i naftës (gazoilit) nuk do të jetë më shumë se 195 lekë për litër me pakicë, nga 201 që ishte në shitjen dhe 183 lekë për litër në shitjen me shumicë.
Kjo është hera e parë që pas ngritjes për herë të fundit të Bordit të Transparencës, që nafta bie nën 200 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 159 lekësh për litër me pakicë , nga 160 që ishte më parë dhe 147 lekësh për litër me shumicë.
Për gazin, çmimi është përcaktuar në 69 lekë për litër në shitjen me pakicë dhe 57 lekë për litër në shitjen me shumicë për automjetet.
Gjithashtu, çmimi i gazoilit për aktivitetin e peshkimit do të jetë 99 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 24 nëntor, në orën 14:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur mund të rishikohen në varësi të ndryshimeve në treg.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për zbatimin e detyrueshëm të çmimeve të përcaktuara. Për subjektet që do të konstatohen në shkelje të vendimit, parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë me dije se janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Top Channel