Rama prezanton sistemin e ri unik të masave administrative: Mbyllet epoka e gjobave në copa letre, policët dhe inspektorët e terrenit do pajisen me kamera trupore

24/11/2026 11:42

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Sistemin Unik të gjobave gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve publike.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se me sistemin e ri merr fund epoka e gjobave që vendosen në copa letre dhe se çdo masë administrative e vendosur do të pasqyrohet në llogarinë e-Albania të çdo qytetari. Më tej ai shtoi së të gjithë efektivët e policisë dhe inspektorët në terren do të pajisen me kamera trupore që do të monitorojnë sjelljen ndaj qytetarëve.

“Ndërkohë që të gjitha institucionet që drejtoni mund të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet teknologjisë, që sjell njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes e-Albania, e cila çon mesazh në telefon. Të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia të kontrollojë në e-Albania gjobat që ka. Po ashtu është dhe kategorizimi i gjobave në databazë, që është shumë i rëndësishëm. Ndërkohë do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të mund të paguhen nga telefoni dhe të apelohen po ashtu nga telefoni.

Ajo që besoj është e rëndësishme është që nuk ka më gjobitje pa gjurmueshmëri, garantohet rrjedhë e njëjtë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjoba, që jep mundësi për institucionet në një hartë të gjitha proceset. Sigurisht që praktikisht kjo përmbyll një proces jo të lehtë, sepse ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu dhe dua të shtoj që së shpejti do të fillojë projekti për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë dhe inspektorëve të terrenit me kamera trupi që do të jenë aktive gjatë gjithë kohës. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren dhe të shihet sjellja e tyre me qytetarin dhe të vlerësohen edhe situatat në kohë reale kur është nevoja për ndihmë. Të gjitha bashkë ngrenë në një nivel tjetër marrëdhënien e qytetarit me shtetin, në mënyrë të shpejtë dhe shumë të ndjeshme sjelljen e administratës me qytetarin dhe patjetër që krijojnë kushte të reja për të vlerësuar të gjithë parametrat e tjerë të punës. Unë nuk kam veçse fjalë falënderuese për AKSHI, ADS, e cila po bëhet një forcë gjithmonë dhe më e pranishme në kapacitete e shtetit për të thelluar proceset e digjitalizimit. Besoj se është moment pozitiv për institucionet por të gjithë të merrni masa që zbatimi i gjobave online dhe jo me letra, të realizohet një orë e më parë.

I takon drejtpërdrejt kryeinspektorit për të monitoruar procesin e zbatimit”, tha Rama.

Top Channel