Seanca në GJKKO, Veliaj letër Gjykatës për operacionin: S’po kërkoj botoks dhe mbjellje flokësh, dua ta zgjedhë familja ime mjekun që më fut në narkozë

24/11/2026 11:01

Mbahet sot seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në GJKKO.

Veliaj nuk është paraqitur në seancë, por përmes avokatit i është drejtuar gjyqtarëve të posaçëm me një letër, ku kërkon që të vendosë të operohet për këmbën në një spital që do ai dhe familja e tij, dhe jo ku e përcakton Drejtoria e Burgjeve, bën me dije gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Veliaj thotë se nuk mund të vendosë çdokush se cili mjek do ta fusë në narkozë.

“Me gjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të Prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botoks, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, shkruan Veliaj.

Top Channel