Studentët e huaj në auditore, Universiteti i Gjirokastrës përgatit programe në anglisht për studentët aziatikë

10/09/2026 15:21

Nuk mjaftojnë më punëtorët nga vendet e treta.

Tashmë, Shqipëria po përgatitet të presë edhe studentë nga Bangladeshi, Filipinet, Pakistani dhe vende të tjera të largëta. Lajmi vjen nga Gjirokastra, ku rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Jaho Canaj, bën të ditur se kërkesat e studentëve të huaj për të studiuar në Shqipëri janë në rritje. Për këtë vit nuk janë parashikuar ende kuota për studentë nga vendet e treta, por universiteti po përgatitet për vitin e ardhshëm, ndërsa programet e studimit pritet të ofrohen edhe në gjuhën angleze kete vit akademik

Ndërkohë, universiteti ka shënuar rritje të regjistrimeve vendase. Në fazën e parë janë regjistruar rreth 300 studentë, nga rreth 250 një vit më parë. Interesi më i lartë është për programet dyvjeçare profesionale, Infermierinë dhe Ekonomikun. Por krejt ndryshe paraqitet situata në degët e mësuesisë, ku interesi mbetet i ulët.

Dhe nëse kërkesat konkretizohen, auditorët e universiteteve shqiptare mund të shohin shumë shpejt një realitet të ri: studentë nga vende të largëta, që zgjedhin Shqipërinë jo vetëm për të punuar, por për të studiuar.

Top Channel