Vllaznia “shuplakë” Skënderbeut, Dinamo City mposht Teutën

22/12/2023 18:59

Vllaznia nuk ndalet më dhe në “Loro Boriçi” ndaj Skënderbeut koleksionoi triumfin e tretë radhazi në kampionat.

Shkodranët i mposhtën bardhekuqtë me shifrat 5-0 teksa e vendosën ndeshjen në “shinat e duhura” që në pjesën e parë. Ildi Gruda zhbllokoi shifrat në minutën e 29, me sulmuesin që shfrytëzoi në maksimum një asist perfekt të Ardit Krymit dhe përballë portierit Alia nuk e pati të vështirë për të “përshëndetur” rrjetën.

Në fraksionin e dytë, në të 49-tën, Gruda dyfishoi shifrat. 24-vjeçari përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e korçarëve dhe pasi kaloi edhe portierin Alia, nuk e pati të vështirë për të shënuar me portën e boshatisur. Në vijim, Vllaznia e menaxhoi më së miri avantazhin, madje nuk e hoqi “këmbën nga gazi” dhe gjeti edhe tre herë të tjera rrugën e rrjetës.

Festës iu bashkuan edhe Bekim Balaj që realizoi në minutën e 75, Ildi Gruda që kompletoi tregolëshin personal në minutën e 79 ndërsa në fund llogarive iu shtua edhe autogoli i Frashërit. Pas këtij suksesi Vllaznia ngjitet në kuotën e 26 pikëve në vend të tretë. Nga ana tjetër, Skënderbeu mbetet me 22 pikë në vend të gjashtë.

Në ndeshjen tjetër, Dinamo City u rikthye te fitorja pas dy humbjesh teksa mposhti Teutën me rezultatin 2-1. Protagonist i kësaj ndeshje ishte një ish si Lorenco Vila, i cili në të kaluarën është aktivizuar me durrsakët, por në këtë ndeshje i ndëshkoi me një dygolësh. 23-vjeçari zhbllokoi shifrat në minutën e 13 falë një goditje të fortë e të saktë brenda zonës. Teuta u mundua të reagonte dhe në fakt barazoi me Klejdi Dacin. Sulmuesi shfrytëzoi një pasim të Peposhit dhe nga fare pranë portës nuk mund të gabonte.

Megjithatë, Dinamo u hodh sërish në sulm dhe kaloi përsëri në avantazh me anë të Lorenco Vilës. Dy minuta para se të mbyllej pjesa e parë, Lorenco Vila lëvizi bukur në hyrje të zonës, dhe i ndihmuar nga një devijim, kaloi në avantazh të tijtë. Në pjesën e dytë, vendasit provuan të barazonin, por nuk ia dolën dhe Dinamo City merr tre pikë që e ngjisin skuadrën në vend të pestë me 22 pikë. Ndërkohë, Teuta mbetet e fundit me 16 pikë./ SuperSport

FOTO GALERI
1/12

Top Channel