Vushtrria nuk u paraqit për sfidën e javës së 11-të në Superligën e Kosovës, ndërsa futbollistët e Ballkanit e pritën vendimin për fitoren në tavolinë duke pirë kafe.

Ndeshja mes Vushtrrisë dhe Ballkanit, e programuar për t’u luajtur sot në orën 14:00, nuk nisi kurrë. Skuadra vendase nuk u paraqit në fushë për takimin e vlefshëm për javën e 11-të të Superligës së Kosovës, duke i lënë kundërshtarët pa nevojën për të luajtur asnjë minutë. Futbollistët e Ballkanit e kaluan kështu pritjen në një mënyrë krejt të pazakontë: në vend që të luftonin për tri pikët në fushë, ata u ulën për të pirë kafe në restorantin e stadiumit. Pamjet, të publikuara janë bërë virale në rrjetet sociale.

Në pritje të procedurave zyrtare, Ballkani pritet ta regjistrojë fitoren në tavolinë, ndërsa për Vushtrrinë mund të ketë pasoja të tjera disiplinore, përfshirë edhe një gjobë.

Situata është edhe më e vështirë për skuadrën vendase, e cila renditet në vendin e fundit të tabelës me vetëm 3 pikë. Një ndeshje që duhej të luhej për kampionatin, përfundoi në një skenë të pazakontë: Ballkani priti fitoren duke pirë kafe, ndërsa Vushtrria nuk doli fare në fushë.

Top Channel