Eksperti Ervin Karamuço shpjegoi sonte në “Top Story” rrugën që ndoqi Sokol Mjaçaj për të vrarë Arben Lleshin brenda burgut të Peqinit.
Sipas Karamuços, arma që përdori Mjaçaj u fut në burg në bashkëpunim me një gardian. Sapo pa lajmin në televizor se do të futej në regjimin 41 biss, hyri në qeli, mori revolverin dhe vuri në zbatim planin e tij.
“Ky revolver dyshohet se ka hyrë nga pjesëtar të forcave të sigurisë të burgjeve. Është bashkëpunim me një prej gardianëve. Edhe në ushqime unë kam parë që kontrollohen, futet thika.
Personi ka qenë te godina, ka dalë në ajrim, ka parë lajmërimin në televizor, ka hyrë gjoja për të parë kafe, kur në fakt ka marrë pistoletën. I nxitur nga lajmi. Hyri në qeli, qëlloi pesë herë, vrau Lleshin dhe plagosi tjetrin. Sa kanë dëgjuar krismat, ata që ishin në ajrim vijnë ta kapin pse na kape shokun, e kanë kapur shumë keq”.
Më pas, shpjegoi eksperti, Mjaçaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, u mbyll brenda dhomës së vizitave.
“Ndërkohë Mjaçaj ikën me vrap, ndërkohë që gardianët e ndiqnin. Mbyll derën nga brenda dhe rri në dhomën e takimeve. Ajo ishte e hapur, sepse aksesohet nga roja. Aty pranë është kuzhina. Po të donte, me një pistoletë, mund të kërcënonte një gardian të vetëm dhe të dilte”.
Madje, thotë eksperti, i dënuari kërcënoi të gjithë burgun me një revolver që nuk kishte asnjë fishekë brenda.
“Arma është e kalibrit 22, revolver me 6 fishekë, por ekspertiza nxjerr që ka pasur vetëm 5. Por kërcënimi i tij ishte blof, sepse ai nuk kishte më plumba. Të gjitha ama e morën të mirëqenë që mund të vriste persona të tjerë”.
Top Channel