Miratohet rritja e pagave për gjyqtarët/ Komisioni i Ekonomisë kalon draftin e propozuar nga PS me rritje 8500 lekë
Mbas shumë kërkesash për të lënë kafazin e xhamtë, ish-presidenti Ilir Meta u dëgjua nga gjykata e Apelit të posaçëm.
Gjyqtarja Saida Dollani e cila ka nën shqyrtim kërkesën e ish-presidentit Meta për pezullimin e afateve të paraburgimit, pranoi kërkesën e tij për t’u ulur në sallën e gjykatës me avokatin përkrah.
Për këtë vendimmarrje gjyqtarja Dollani mori si referencë konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe urdhëroi daljen e ish-Presidentit nga kafazi, një vendim që siç mëson gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha do të shfrytëzohet nga mbrojtja edhe për betejat e tjera. Më e afërta ishte brenda ditës, dhe ishte caktuar në shkallën e parë të posaçme në orën 15.30, ku gjykata pritej të shqyrtonte kërkesën e ish-presidentit që këmbëngul ndryshim të masës nga arrest në burg në një një tjetër më të butë.
Mbrojtja i konfirmoi Top Channel-it se në referim të vendimit të dhënë nga gjyqtarja Dollani, e cila i tha po Ilir Metës dhe e nxorri nga kafazi, do t’i kërkojë edhe Gjykatës së shkallës së parë të njëjtën gjë.
Por kërkesa e Bujar Mustës mbeti vetëm një ide, pasi trupa gjyqësore e shkallës së parë nuk u paraqit sot dhe për këtë mungesë gjyqi u shty për të martën në orën 10;00.
Pritet që e njëjta kërkesë t’i depozitohet gjykatës edhe në themel, ku Meta është i pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim pasurie, proces që mbahet të enjten.
Të gjitha këto lëvizje të ish-Presidentit po ndodhin në kohën kur në muajin tetor plotësohen dy vjet nga arrestimi i tij dhe teksa kundërshton pezullimin e afateve të paraburgosjes për çdo gjyq themeli të shtyrë, së shpejti me shumë mundësi, do të pretendojë lirimin e menjëhershëm, me arsyetimin se afatet kanë përfunduar.
Top Channel