U godit me thikë/ Në Francë ndodh tragjedia, tifozi ndërron jetë

03/12/2023 12:53

Tragjedi në Francë teksa tifozi i plagosur me thikë para ndeshjes mes Nantes dhe Nice ka ndërruar jetë duke mos i mbijetuar plagëve të marra.

Pak minuta para startit të ndeshjes mes Nantes dhe Nice, një ultras i “kanarinave” u plagos me thikë nga shoferi i një autobuzi të transportit publik në Francë.

Sipas lajmeve të fundit, ultrasit e Nantes kërkuan të sulmonin disa tifozë të Nice që ishin në autobuz dhe shoferi në përpjekje për të mbrojtur klientët e tij, plagosi tifozin që tashmë ka ndërruar jetë. Ngjarja ndodhi në afërsi të stadiumit Beaujoire ndërsa mësohet se i plagosuri i përkiste grupimit ultras të Nantes.

Në lidhje me këtë episod kanë nisur hetimet nga autoritetet franceze, të cilat më pas do të publikojnë edhe kronologjinë e plotë të kësaj ngjarje të rënda.

Kujtojmë se pas ndeshjes, kur mori vesh për ngjarjen e rëndë trajneri i Nantes, Jocelyn Gourvennec u shpreh se është e pajustifikueshme që dikush të vdesë për futbollin, por për fat të keq tragjedia ndodhi. /Supersport

Top Channel