Derbi i kryeqytetit pa fitues, Tirana mbetet -7 pikë nga Partizani! Përplasje mes tifozëve

03/12/2023 21:23

Nuk ka fitues në derbin numër 172 të kryeqytetit.

Tirana dhe Partizani ndanë pikët në përballjen më të rëndësishme të javës së 15-të, që e ruan në shtatë pikë diferencën mes skuadrave, me të kuqtë në vendin e dytë dhe bardheblutë në të katërtin.

Përfundoi 1-1 kjo ndeshje e zhvilluar në “Arena Kombëtare”, e cila dhuroi emocione, por jo një fitues.

E zhbllokoi ndeshjen Florent Hasanin, me një goditje spektakolare brenda zonës në minutën e 28-të, gol që konfirmoi në njëfarë mënyrë dominimin e bardhebluve në fraksionin e parë.

Latifi fal golin e dytë në të 48-tën me portën thuajse të boshatisur pas një asisti të Najdovskit.

Përplasje në fushë mes Dokës dhe Rrapajt pas një ndërhyrje të ashpër të mesfushorit të Partizanit. Gjyqtari u tregoi të dyve kartonin e verdhë, thekson Super Sport.

10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Keko, i sapofutur në lojë, barazoi rezultatit “i harruar” i vetëm në zonë nga mbrojtja bardheblu.

Nuk pati më ndryshim rezultati në minutat mbetura dhe në shtesë, me tifozët bardheblu të zhgënjyer që nuk e fituan dot këtë derbi të cilin menduan se e kishin në dorë, ndërsa për tifozët e kuq kishte më shumë shijen e fitores për mënyrën se si shkoi ndeshje dhe për faktin që e mbajtën rivalin e përjetshëm shtatë pikë pas në renditje.

Tifozëritë janë përplasur me njëra-tjetrën pas përfundimit të ndeshjes, duke hedhur karriget e stadiumit apo ndezur flakadanë.

FOTO GALERI
3/43

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA