Të gjithë pas Antonellit, italiani dominon në Austin dhe merr pozicionin e parë
Kimi Antonelli fitoi Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara në Austin, duke regjistruar suksesin e nëntë të sezonit.
Charles Leclerc dhe Max Verstappen plotësuan podiumin, ndërsa festa e titullit për pilotin italian u shty për në Mexico City. Gara u transmetua, si gjithmonë, ekskluzivisht në Digitalb.
Kimi Antonelli vazhdon të dominojë Formula 1. Piloti italian triumfoi në pistën e Austin, në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara, pas një gare të kontrolluar me kujdes dhe një strategjie të suksesshme me vetëm një ndalesë në bokse. Pas nisjes nga pozicioni i parë, Antonelli mori kryesimin që në start dhe nuk e lëshoi deri në vijën e finishit.
Charles Leclerc u rendit i dyti, ndërsa Max Verstappen përfundoi në vendin e tretë. Lewis Hamilton mbylli garën i katërti, përpara Lando Norris dhe Isaac Hadjar. Ndërkohë, George Russell u detyrua të kënaqej me vendin e tetë, duke humbur terren të rëndësishëm në luftën për kampionatin.
Kështu, festa për titullin botëror nuk do të zhvillohet ende në Teksas. Antonelli kryeson renditjen me 365 pikë dhe mund ta sigurojë matematikisht kampionatin në Çmimin e Madh të Mexico City, që zhvillohet më 1 nëntor. Sipas skenarëve të garës, atij do t’i mjaftonin vetëm një ose dy pikë, në varësi të rezultatit të rivalit që do të fitonte garën.
Në renditjen e përgjithshme, Hamilton është ngjitur shumë pranë Russell, me 242 pikë kundrejt 241 të britanikut. Verstappen ndjek me 236 pikë, ndërsa Norris ka grumbulluar 211. Pikë të vlefshme në Austin siguruan edhe Liam Lawson dhe Pierre Gasly, të cilët u renditën përkatësisht në vendet e nëntë dhe të dhjetë, duke plotësuar zonën e pikëve për Racing Bulls dhe Alpine.
Top Channel