Tensionet jashtë ambienteve të Kryesisë kanë penguar mbarëvajtjen e jetës parlamentare.
Ndërsa Komisioni i Ekonomisë po zhvillohet online, mbledhja e Komisionit të Ligjeve ka përfunduar vetëm disa sekonda pasi ka nisur. Mbyllja e takimit te “Ligjet” ka vijuar me debate të ashpra mes opozitës me kolegët deputetët e mazhorancës.
Dashnor Sula i është kthyer ashpër Arben Pëllumbit dhe Klotilda Bushkës duke u shprehur i dhunuar pavarësisht se nuk kishte bërë asnjë shkelje gjatë tensioneve në hyrje të Kryesisë së Kuvendit.
Sula: Po na rrahin o Arben.
Turp të keni, turp. Nuk jam hajdut! Por të më mbyllni derën, ça jeni ju? Ca të bëjmë ne? Të shtyjmë njëri tjetrin? Si e mbyllët derën? Kush e mbylli? Gjej një rast kur i mbyllet dera deputetëve? Gjeni një rast?!
Bushka: Nuk u ndaluan kolegët, Garda ndalon ata që janë të përjashtuar.
Sula: Ky është turp. Më dhunove atje o motër, të duket normalitet ty? Më tregoni tani, një muhabet… Keni humbur logjikën! Merruni me Saliun ose Nokën, ç’punë ke me këtë?!
Bylykbashi: Rregulloren nuk mund ta përdorni si mjet ndëshkimi.
Mbledhja e komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do të zhvillohet online në orën 12:30. Shtyrja dhe më pas zhvillimi i mbledhjes online nuk është pritur mirë nga opozita.
Zëvendëskryetarja e “Ligjeve”, Dhurata Çupi e konsideroi rastin shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit. Sipas Çupit, Shqipëria fatmirësisht nuk është në një situatë të jashtëzakonshme, çka tregon se masat janë marrë me qëllim të vetëm shuarjen e zërit të opozitës në Parlament.
“Rregullorja e Kuvendit përcakton se komisionet parlamentare i zhvillojnë mbledhjet online vetëm në rastet e masave të jashtëzakonshme, përkatësisht gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme apo fatkeqësisë natyrore (neni a/5). Zhvillimi i mbledhjeve online vendoset me mirëkuptim nga Konferenca e Kryetarëve (neni 6).
Megjithëse, fatmirësisht Shqipëria nuk është në asnjë prej rasteve të masave të jashtëzakonshme, mazhoranca socialiste, në shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit dhe pa vendim të Konferencës së Kryetarëve, ka vendosur zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare online, me qëllim të vetëm shuarjen e zërit të opozitës në Parlament”- shkruan Çupi.
Nga ana tjetër, është ndërprerë gjithashtu edhe mbledhja e Komisionit të Shëndetësisë, pasi deputetët e opozitës iu përgjigjën përplasjes së kolegëve të tyre deputetë me Gardën e Republikës duke bllokuar punimet e Komisionit.
Top Channel