Gana i mohon Panamasë pikën historike, fiton në shtesë me golin e Yirenkyi
Kolumbia e nisi me fitore aventurën e saj në Kupën e Botës, duke mposhtur Uzbekistanin me rezultatin 3-1, në një ndeshje ku protagonisti absolut ishte Luis Díaz. Sulmuesi kolumbian realizoi një gol dhe dhuroi një asist, duke lënë në hije James Rodríguez, i cili zhvilloi një paraqitje nën pritshmëri.
Uzbekistani, i drejtuar nga Fabio Cannavaro, u shfaq tepër defensiv që nga minuta e parë. Ekipi aziatik u mbrojt me bllok të ulët dhe u fokusua kryesisht në ruajtjen e rezultatit, duke lënë të izoluar në sulm Eldor Shomurodov.
Pjesa e parë ishte e vështirë për Kolumbinë, e cila pati vështirësi në krijimin e rasteve. James Rodríguez luajti shumë i tërhequr në prapavijë për të ndihmuar në ndërtimin e aksioneve, por lëvizjet e tij nuk sollën ritmin e dëshiruar. Rasti më i rrezikshëm erdhi nga Luis Díaz, i cili fillimisht goditi shtyllën, përpara se të dhuronte një pasim fantastik për Muñoz. Ky i fundit, i pozicionuar në mënyrë surprizë si sulmues, shënoi me prekjen e parë për t’i dhënë avantazhin Kolumbisë në minutën e 40-të.
Kolumbianët dukeshin se e kishin ndeshjen nën kontroll, por në minutën e 60-të Uzbekistani gjeti golin e barazimit. Pas një goditjeje volej nga Shomurodov, portieri Vargas nuk reagoi si duhet dhe topi i kthyer u shfrytëzua nga Fayzullaev, i cili realizoi golin e parë në historinë e Uzbekistanit në një Kupë Bote.
Megjithatë, gëzimi i uzbekëve zgjati vetëm pesë minuta. Puertas rikuperoi një top në mesfushë, përparoi me shpejtësi dhe shërbeu për Luis Díaz, i cili finalizoi me sukses për të rikthyer avantazhin e Kolumbisë në minutën e 65-të.
Në pjesën e mbetur të takimit, Kolumbia humbi disi kontrollin e lojës, sidomos pas zëvendësimit të James Rodríguez me Campaz. Megjithatë, Uzbekistani nuk arriti të përfitonte nga momentet e pasigurisë së kundërshtarit.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Campaz vulosi gjithçka me golin e tretë në minutën e 99-të, duke i siguruar Kolumbisë tri pikët në debutimin e saj.
Kolumbi – Uzbekistan 3-1
Shënues: Muñoz 40’, Luis Díaz 65’, Campaz 99’ / Fayzullaev 60’.
Top Channel