Inside Story/ I forti i Elbasanit del në komunikimet e klanit “Aruba”: Unë i kam rregulluar punët e mia, kam të ardhura…
Dosja e klanit që mori jetë në takimet e ishullit të Arubas, ka në qendër të hetimit edhe Alfredo Hamzain dhe Luçiano Koçekun, drejtues të dy grupeve që ndërveprojnë si një organizatë e vetme.
Ata ngritën një mekanizëm që mbyllte gjithë ciklin e kokainës, nga prodhimi në Amerikën Latine te shpërndarja në Europë.
‘Trafikimi i lëndëve narkotike nga shtetet e Amerikës Latine drejt Europës realizohet përmes kompanive tregtare të frutave, mishit, qymyrit dhe sojës. Përpunimi dhe ekstraktimi kimik kryhet në magazina apo ambiente të marra me qira në disa shtete europiane, kryesisht në Holandë dhe Belgjikë’, nga dosja hetimore.
Një pjesë e këtyre kompanive, sipas hetuesve, janë krijuar dhe menaxhuar vetë nga anëtarët e rrjetit, duke shërbyer si mbulesë për futjen e sasive të mëdha të kokainës në territorin europian.
Trafiku përmes porteve më të mëdha të Europës, si Antverp në Belgjikë dhe Roterdam në Holandë, bëhej me mallra që kalojnë në mënyrë të rregullt përmes porteve.
Ky aktivitet është i shtrirë në disa vende, ku përveç aleancave dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me grupe të ndryshme kriminale që operojnë në shtete të ndryshme (si holandeze, belge, turke, izraelite, italiane, polake, braziliane, britanike, si dhe kartele të drogës nga Kolumbia, Paraguaji dhe Ekuadori), grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë mes tyre në këtë veprimtari, ose ndihmojnë njëri-tjetrin në procese të ndryshme, sipas njohjeve dhe lidhjeve që kanë në vendet ku transportohet lënda narkotike.
Droga shpërndahet në disa tregje kryesore europiane, ku çmimi i saj, sipas dosjes, arrin deri në 26 deri në 30 mijë euro për kilogram. Sipas hetimeve, lënda narkotike sigurohet nga furnizues kryesorë në Kolumbi dhe Ekuador, ku funksionojnë edhe laboratorë për përpunimin e saj. Këto personazhe kanë ngritur edhe laboratorë në Amerikën Latine.
“Në laboratorët e vendosur në Amerikën Latine kryhet përpunimi i lëndës narkotike dhe përgatitja e saj për trafikim drejt tregjeve europiane, nën koordinimin e strukturave të organizuara kriminale”, nga dosja hetimore.
“Lënda narkotike transportohet nëpërmjet mjeteve detare dhe ajrore, përfshirë kontejnerë dhe mjete me ndarje të fshehta, me qëllim shmangien e kontrolleve doganore” nga dosja hetimore.
Por ajo që bie në sy është fakti që anëtarët e këtij grupi dërgojnë në Kolumbi dhe Ekuador njerëz si garant për trafikimin e lëndës narkotike.
Ata ndihmojnë njëri-tjetrin në dërgimin e forcës punëtore në laboratorin në Ekuador, siç është rasti i personit nën hetim Dritan Aga, Arsen Gerbi dhe Muhamet Mersini; udhëtimi i cili organizohet nëpërmjet prerjes së biletave pranë agjencisë nëpërmjet personit nën hetim Orgest Birçaj, nëpërmjet shoqërisë “Top Seven” sh.p.k., me aktivitet ndër të tjera agjenci udhëtimi.
“Shiko vetë, përkufizimi i organizatës kriminale apo grupit të strukturuar kërkon një organizim hierarkik. Kërkon ndarje rolesh midis anëtarëve dhe një organizim të mirëfilltë të këtyre anëtarëve për të arritur një qëllim për kryerjen e një vepre të posaçme penale”, u shpreh Dritan Jahja, avokat.
Pjesë e këtij grupi është edhe Orest Sota, që sipas SPAK është i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në vende si Italia dhe Anglia. Ai shfaqet si një prej hallkave që lidhin botën e biznesit me rrjetin e dyshuar të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Në dosje ai përmendet jo thjesht si figurë periferike, por si një element që, sipas hetuesve, ka rol në qarkullimin e informacioneve që merr nëpërmjet njohjeve që ka.
Personi nën hetim Orest Sota, për shkak të lidhjeve që ai ka në Shqipëri, ofron informacione nëse në Shqipëri ka të dhëna për personat nën hetim. Nga ana tjetër sigurohet treg për shitje masive si dhe transport në vende të ndryshme të Europës, si në Itali nëpërmjet personave nën hetim Orgest Birçaj dhe Orest Sota, të cilët kanë rrjetin e tyre të trafikimit, në Angli nëpërmjet personit nën hetim Luçiano Koçeku dhe në Zvicër nga personat nën hetim Elton Memeti dhe Adrian Rama.
Sipas hetimeve të autoriteteve europiane dhe SPAK, këtij rrjeti i atribuohen rreth 6.7 ton kokainë të sekuestruara në operacione të ndryshme ndërkombëtare.
Mes tyre përfshihen 441 kg në Barcelonë, 1.435 kg në Roterdam, 162 kg në Britaninë e Madhe, si dhe disa ngarkesa të tjera të mëdha që variojnë nga 600 kg deri në 1.2 ton, të kapura gjatë vitit 2020.
Por, sipas SPAK, dyshohet se bazuar në analizat e riskut, sasitë e trafikuara me sukses janë shumë herë më të mëdha se ato që janë kapur…
Top Channel