Rama me Macron: 80 mijë turistë francezë kanë vizituar Shqipërinë! Baza e lidhjes po formësohet nga njerëzit

17/10/2023 11:19

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron realizuan një konferencë të përbashkët për shtyp, në Tiranë.

Rama vlerësoi vizitën e Macron por edhe të francezëve që kanë vizituar Shqipërinë. Ai tha se 80 mijë turistë kanë vizituar Shqipërinë, ndërsa kjo shifër mund të rritet deri në fund të vitit.

“80 mijë turistë francezë kanë vizituar Shqipërinë deri tani dhe numri mund të shtohet deri në fund të 2023-shit, një shifër e paimagjinueshme vite me parë. Në këtë angazhim baza e lidhjes po formësohet nga njerëzit“, tha Rama.

Kryeministri e quajti gur themeli bashkëpunimin e Francës dhe Shqipërisë, dhe se prania e tij në Tiranë është një fakt historik.

“Janë 101 vjet marrëdhënie diplomatike mes Francës dhe Shqipërisë dhe marrëveshja që kemi nënshkruar para pak vitesh është një gur themeli ku do të ndërtojmë më tutje një rrugë të gjerë bashkëpunimi. Fakti historik i kësaj dite është prania juaj jo e imja. Se sa shumë e dëshirojmë Europën dhe sa shumë Europa është e lidhur me Francën”, thotë ai.

“Para pak vitesh Shqipëria bënte lajm në Francë për arsye të gabuara, sot është një lajm për arsyet më të mira, dhe për këtë dua të falenderoj përzemërsisht presidentin dhe qeverinë franceze që janë treguar të durueshëm në projektin kundër kriminalitetit, emigracionit të paligjshëm dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne.

Ky bashkëpunim është kthyer në një model edhe për të tjerët. Ky model ka shërbyer për të kuptuar si mund të luftohet emigracioni i paligjshëm, duke luftuar në origjinë në burim. Kjo ka kërkuar durim por është zhvilluar edhe në një presion mediatik të brendshëm që nuk është se ka qenë një erë mbështetëse. Sot jemi në tjetër nivel. Sot e kemi Francën këtu”, shtoi kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA