“Paketa e Maleve”/ Muçi kërkon shfuqizimin e ligjit, Vengu në Komisionin e “Infrastrukturës”: Procesi është i hapur dhe i auditueshëm

21/09/2026 11:42

Është diskutuar sot në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm projektligji “Për shfuqizimin e ligjit nr. 20/2025, ‘Për paketën e Maleve’”. Nisma është propozuar nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i cili kërkon shfuqizimin e ligjit në fjalë.

Gjatë diskutimit në komision, Muçi argumentoi se ligji prek një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit dhe sipas tij krijon problematika lidhur me administrimin dhe përdorimin e pronës. Ai e cilësoi të nevojshëm shfuqizimin e ligjit.

Sipas Muçit, “Paketa e Maleve” prek rreth 23% të territorit të Shqipërisë dhe mund të sjellë ndryshime në statusin e pronave të përfshira në këtë proces.

“Synon të tjetërsojë 23% të territorit të Shqipërisë. Duhet të shfuqizohet patjetër”, tha Muçi.
Nisma u diskutua nga anëtarët e komisionit, ndërsa socialistët ngritën pikëpyetje mbi argumentet e paraqitura në relacionin shpjegues të projektligjit dhe kërkuan që pretendimet të shoqërohen me të dhëna konkrete.

Lidhur me këtë nismë dhe pyetjet e ngritura gjatë mbledhjes, u përgjigj anëtari socialist i komisionit, Pirro Vengu.

Ai kundërshtoi pretendimin se zbatimi i ligjit do të çonte në marrjen e pronave të qytetarëve, duke argumentuar se bëhet fjalë për një proces që, sipas tij, zhvillohet mbi pasuri shtetërore.

Vengu tha se pretendimi për marrjen e pronave mund të duket politikisht i fortë, por sipas tij nuk mbështetet në argumentim të mjaftueshëm juridik.

“Pretendimi se qytetarëve do t’u merren pronat. Politikisht duket qëndrim i fortë, juridikisht kuptohet që është i cekët”, tha Vengu.

Ai theksoi se procesi është i hapur dhe i auditueshëm dhe se ligji, sipas tij, zbatohet mbi pasuri shtetërore. Vengu kërkoi gjithashtu që diskutimi në komision të mbështetet në të dhëna dhe analiza konkrete.

“Kemi një proces të hapur dhe të auditueshëm. Ligji zbatohet mbi pasuri shtetërore. Mbetemi në pohim pa fakte. Po ashtu nuk përmbushen standardet e nenit 68 të rregullores së Kuvendit ”, u shpreh ai.

Në vijim të diskutimit, Vengu propozoi që komisioni të kërkojë të dhëna shtesë për numrin e aplikimeve, statusin e tyre dhe ndikimin financiar të zbatimit të ligjit. Sipas tij, këto elemente janë të nevojshme për të pasur një analizë më të plotë mbi nismën e propozuar.

Duke iu referuar rolit të komisionit si strukturë që jep mendim për projektligjin, Vengu tha se duhet të kërkohet një analizë financiare dhe informacion i detajuar mbi aplikimet dhe miratimet.

“Nisur nga këto dhe duke konsideruar faktin që jemi komision për dhënie mendimi, do të gjykoja t’i kërkohej komisionit përgjegjës dhe Këshillit të Ministrave një analizë financiare, numrin e aplikimeve, statusin e miratimit ose jo, që të kemi atë analizë që mungon në relacionin e propozuar nga kolegu”, u shpreh Vengu.

Top Channel