Emri/ Grupi i shqiptarëve futen në banesë për të grabitur, pronari qëllon me armë dhe vret 36-vjeçarin, shokët ‘e braktisin’

21/09/2026 09:30

Një 36-vjeçar me origjinë shqiptare është vrarë me armë zjarri gjatë një tentative grabitjeje në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, në Itali.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, viktima është identifikuar nga karabinierët si Gjovalin Lazri, banues në Torino. Hetuesit bëjnë me dije se 36-vjeçari dyshohet se kishte precedentë penalë.

Ngjarja ndodhi gjatë natës, kur disa persona u futën në oborrin e një banese në rikonstruksion. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, në grup ishin rreth katër ose pesë persona.

Pronari i banesës, Roberto Mollo, 35 vjeç, u zgjua nga zhurmat dhe doli në ballkon, ku kishte me vete një pistoletë gjysmëautomatike, të cilën e kishte të regjistruar ligjërisht. Ai qëlloi drejt personave që ndodheshin në oborr dhe njëri prej tyre u godit.

Lazri mbeti i plagosur rëndë dhe, megjithëse ekipet e emergjencës tentuan ta reanimonin, ai ndërroi jetë në vendngjarje.

Pas të shtënave, personat e tjerë që ndodheshin me të u larguan nga vendi i ngjarjes. Karabinierët po kërkojnë gjurmë që mund t’i çojnë te automjeti me të cilin dyshohet se u larguan. Sipas hetimeve paraprake, nga banesa nuk ishte marrë asnjë material. Vetë Mollo telefonoi shërbimet e emergjencës pas ngjarjes dhe njoftoi policinë se disa persona ishin futur në pronën e tij.

Prokuroria e Astit ka hapur një hetim për vrasje, ndërsa 35-vjeçari është nën hetim në gjendje të lirë. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat në të cilat u përdor arma.
Ndërkohë, trupi i 36-vjeçarit shqiptar është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Torino, ku pritet të kryhet autopsia.

Hetimet po drejtohen nga karabinierët e Cuneos dhe Bra-s, nën koordinimin e Prokurorisë së Astit. Bashkëpunëtorët e dyshuar të viktimës vijojnë të jenë në kërkim.

 

Top Channel