Debate në Komitetin e Stabilizim-Asociimit/ Balla: Negociatat deri në 2027; Bardhi: Opozitës i mohohet kontrolli, Kaso: Reforma Territoriale me konsensus

21/09/2026 11:39

Debate për rolin e Kuvendit, kontrollin ndaj qeverisë dhe zbatimin e ligjeve shoqëruan Takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri. Mazhoranca dhe opozita ndanë qëndrime të ndryshme për funksionimin e Parlamentit në një moment kur Shqipëria synon të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe bashkëkryetar i Komitetit, Taulant Balla, deklaroi se objektivi është përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda Krishtlindjeve të vitit 2027, me synimin që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së brenda vitit 2030. Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt e negociatave.

Balla tha se procesi ka hyrë në një fazë të re dhe tashmë vëmendja duhet të zhvendoset nga miratimi i legjislacionit te zbatimi konkret i tij.

“Sa më shumë i afrohemi përfundimit të negociatave, aq më shumë fokusi duhet të kalojë nga ligji i miratuar tek ligji i zbatuar, nga angazhimi i marrë te rezultati i pritshëm dhe nga standardi i shkruar tek standardi që qytetari ta ndjejë në jetën e përditshme”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se në këtë fazë nuk mjafton vetëm përafrimi i ligjeve me standardet e Bashkimit Europian, por nevojiten institucione funksionale dhe rezultate konkrete për qytetarët.

Një qëndrim kritik për mënyrën se si funksionon Kuvendi mbajti kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Sipas tij, integrimi europian duhet të jetë një proces transformimi të institucioneve dhe jo vetëm miratim i legjislacionit të përafruar me BE-në.

Bardhi pretendoi se opozitës po i mohohen instrumentet kushtetuese të kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.

“Për ne si opozitë, Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht vendi ku votohet legjislacioni i përafruar me Bashkimin Europian. Parlamenti duhet të jetë institucioni që garanton se këto ligje zbatohen, se qeveria kontrollohet dhe se reformat europiane janë gjithëpërfshirëse dhe nuk mbeten vetëm në letër”, tha Bardhi.

Sipas tij, gjatë një viti të kësaj legjislature opozita ka paraqitur shtatë kërkesa për interpelancë apo llogaridhënie nga Kryeministri, të cilave, sipas Bardhit, ai nuk u është përgjigjur. Kreu i grupit parlamentar të PD-së tha gjithashtu se opozita ka kërkuar ngritjen e gjashtë komisioneve hetimore, por asnjë prej tyre nuk është pranuar.

Bardhi ngriti edhe çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke akuzuar mazhorancën se nuk zbaton vendimet që lidhen me të drejtat e pakicës parlamentare.

“Integrimi europian kërkon kontroll dhe balancë, jo vetëm shumicë votash. Nëse Parlamenti kthehet në një mekanizëm që miraton automatikisht nismat e qeverisë, atëherë humbet një nga funksionet e tij më të rëndësishme: kontrollin demokratik”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se, sipas opozitës, objektivi i procesit nuk duhet të kufizohet vetëm te mbyllja e kapitujve të negociatave, por duhet të shoqërohet me institucione më të forta, një Parlament më funksional dhe më shumë llogaridhënie.

Në debatet e Komitetit, deputeti demokrat Ivi Kaso u ndal te Reforma Administrativo-Territoriale, duke kritikuar ndërprerjen e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe mënyrën se si, sipas tij, po ecet me procesin.

Kaso deklaroi se më 23 qershor 2026 mazhoranca refuzoi kërkesën e opozitës për zgjatjen e mandatit të Komisionit, në një kohë kur, sipas tij, nuk kishin përfunduar konsultimet dhe nuk ishte diskutuar apo miratuar raporti përfundimtar.

Ai e lidhi Reformën Territoriale edhe me zgjedhjet e ardhshme, duke argumentuar se përcaktimi i kufijve të bashkive ndikon drejtpërdrejt në njësitë ku zhvillohet konkurrenca elektorale.

“Rregullat dhe kufijtë brenda të cilëve zhvillohet gara elektorale nuk duhet të përcaktohen në mënyrë të njëanshme nga e njëjta mazhorancë që do të konkurrojë në ato zgjedhje”, tha Kaso.

Deputeti i PD-së kërkoi që procesi të rikthehet në tryezën ndërpartiake, të përfundojnë konsultimet dhe ndryshimet të mbështeten në kritere objektive socio-ekonomike dhe në një konsensus të gjerë politik.

“Shqipërisë i duhet një Reformë Territoriale që forcon pushtetin vendor dhe u shërben qytetarëve, jo një hartë territoriale e vendosur në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca politike përpara zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi Kaso.

Top Channel