Një analizë e Financial Times nga të dhënat e shkollës së mjekësisë të Universitetit të Washingtonit tregon se gjatë tre dekadave të fundit është rritur shkalla e kancerit te moshat 25-29 më shumë se çdo grupmoshë tjetër.
Financial Times sjell rastin e 34-vjeçarit Paddy Scott, fotograf dhe regjisor, i cili në vitin 2017 kishte dhimbje barku, por kurrë nuk e mendonte se çfarë e priste. Fotografin të cilin puna e çonte në terrene të thyera ose të rrezikshme, ishte vetëm 34 vjeç dhe krenohej me aftësinë e tij fizike. Pasi mjeku i tij i përgjithshëm e dërgoi për kontroll, specialistët e pyetën nëse ai donte të bënte testin e gjakut për zbulimin e tumoreve, por kjo iu duk e çuditshme.
“Pranova, por isha i sigurt që unë nuk kisha një gjë të tillë”-thotë Scott. Më vonë ai mori lajmin e rëndë se kishte kancer të avancuar të zorrëve, i cili ishte përhapur në mëlçi.
Në 30 vitet e fundit është parë një rritje e të ashtuquajturit kancer ” i hershëm” në moshën nën 50 vjeçare. Kaq e theksuar është rritja, saqë epidemiologët kanë sugjeruar se duhet quajtur epidemi.
Analiza e Financial Times e të dhënave nga Instituti për Vlerësimin e Shëndetit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit tregon se gjatë tre dekadave të fundit shkalla e kancerit në grupin G20 të vendeve të industrializuara është rritur më shpejt për 25-29-vjeçarët sesa çdo grupmoshë tjetër — me 22 për qind midis 1990 dhe 2019.
Normat për 20-34-vjeçarët në këto vende janë tani në nivelin më të lartë në 30 vjet. Rastet e grupmoshave më të vjetra, mbi 75 vjeç, kanë rënë nga kulmi i tyre rreth vitit 2005. Gjatë gjashtë viteve të trajtimit rraskapitës me “National Health Service” të financuar nga taksapaguesit në Mbretërinë e Bashkuar, Scott e ka vëzhguar këtë ndryshim.
“Gjithmonë më njihnin nëpër repart sepse isha më i vogli atje. Por një ditë tjetër isha ulur në kimio me një djalë që duhet të ketë qenë tek të 20-at. Duket sikur po rritet dramatikisht tek të rinjtë”, thotë ai.
Studiuesit nuk kanë asnjë shpjegim përfundimtar përse njerëzit në kulmin e jetës duket se janë dukshëm më të prekshëm ndaj sëmundjes sesa moshatarët e tyre në gjeneratat e mëparshme. Mund të ketë të dhëna për llojet e kancerit që prekin të rinjtë, besojnë studiuesit.
Midis 15-39-vjeçarëve, rastet e kancerit kolorektal u rritën me 70% në vendet e G20 midis 1990 dhe 2019, krahasuar me një rritje prej 24% në të gjitha kanceret, zbuloi hulumtimi i FT. Shoqata Amerikane e Kancerit bazuar në të dhënat kombëtare mbi incidencën dhe vdekshmërinë e kancerit sugjeron se këtë vit 13 për qind e rasteve të kancerit kolorektal dhe 7 për qind e vdekjeve do të jenë te njerëzit nën 50 vjeç.
Ky fenomen ka ndikime ekonomike, klinike dhe sociale. Për mjekët e kancerit në vijën e parë, rritja e rasteve të tilla po bëhet një aspekt i pashmangshëm dhe shqetësues i praktikës së tyre. Shahnaëaz Rasheed, kirurgu përgjegjës për trajtimin e Scott në Royal Marsden, një spital i njohur i kancerit në Londër kujton një periudhë dy javore disa vite më parë kur ai operoi katër gra nën 40 vjeç. Një paciente tjetër ishte super e aftë, sportiste ndërkombëtare në të 30-at.
“Më thyhet zemra, këta njerëz duhet të vazhdojnë me jetën e tyre. . . ndërtimi i karrierës, rritja e fëmijëve”, thotë ai.
Por cilët janë faktorët e këtij fenomeni të ri
Shkencëtarët janë gjithnjë e më të bindur se ndryshimet në të ushqyerit dhe mënyrat e jetesës që filluan në mesin e shekullit të kaluar mbajnë të paktën një pjesë të çelësit të enigmës. Dr Frank Sinicrope, një onkolog në SHBA me një interes të veçantë për kancerin e hershëm, thotë se incidenca e sëmundjes është rritur ndjeshëm tek njerëzit e lindur në, ose pas, viteve 1960. Rritja e të rinjve që vijnë për trajtim vitet e fundit ka qenë “mjaft alarmante” thotë ai.
Dieta dhe mënyra e jetesës ndaj të cilave fëmijët janë të ekspozuar ka të ngjarë të jetë një faktor në rritje, thotë ai, duke vënë në dukje obezitetin në fëmijëri, i cili “është bërë më i përhapur dhe më problematik gjatë 30 viteve të fundit”. Megjithatë, asnjë faktor i vetëm nuk mund ta shpjegojë atë, shton Sinicrope.
Ndërsa eksplorojnë një lidhje me dietën, studiuesit po kërkojnë mundësinë që ndryshimet në mikrobiomën – afërsisht 100 tn mikrobet që jetojnë brenda nesh, kryesisht në zorrë – po rrisin ndjeshmërinë ndaj kancerit. Mikrobioma mendohet se luan një rol kyç në shëndetin e përgjithshëm, duke përfshirë tretjen dhe rregullimin e sistemit imunitar, si dhe mbrojtjen kundër baktereve që shkaktojnë sëmundje dhe ndihmon prodhimin e vitaminave vitale.
Konsumimi i ushqimeve të pasura me yndyrna të ngopura dhe sheqer besohet se ndryshon përbërjen e mikrobiomës në mënyra që mund të dëmtojnë shëndetin e një individi. Ndërsa këto ndryshime prekin njerëzit e të gjitha moshave, studiuesit besojnë se është shumë domethënëse që rastet e kancerit të hershëm filluan të rriteshin rreth vitit 1990. Njerëzit e lindur në vitet 1960 i përkisnin brezit të parë të ekspozuar që foshnje ndaj dietave të modernizuara, si dhe ndryshimeve të stilit të jetesës dhe mjedisit, që filloi të bëhej norma e botës së pasur në vitet 1950.
Fakti që rritjet më të mëdha të kancerit tek të rinjtë kanë qenë në varietetet gastrointestinale – kolorektal, si dhe në ezofag, stomak, pankreas, kanal biliar, mëlçi dhe fshikëz e tëmthit – forcon rastin për një lidhje me dietën. Disa lloje të tjera kanceri që shihen gjithnjë e më shumë tek të rinjtë, si kanceri i gjirit, veshkave dhe endometrit, plus kanceri i gjakut mieloma, mund të preken si nga obeziteti ashtu edhe nga gjendja e mikrobiomës, edhe pse atyre u mungon një lidhje e dukshme me sistemin tretës.
Rritja e kancerit në moshë të hershme nuk është thjesht një shqetësim për sistemet shëndetësore. Është problem edhe për ekonomitë. Ata që i mbijetojnë sëmundjes janë në rrezik ndaj kushteve afatgjata si infertiliteti, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceret dytësore, thonë studiuesit, duke kërcënuar barrë më të kushtueshme të kujdesit shëndetësor në të ardhmen. Simiao Chen, kreu i njësisë kërkimore për shëndetin dhe ekonominë e popullsisë në Institutin e Shëndetit Global të Heidelberg dhe një profesor ndihmës në Kolegjin Mjekësor të Pekinit Union, drejtoi një ekip i cili në fillim të këtij viti llogariti se kostoja globale e vlerësuar e kancerit nga 2020 deri në 2050 do të të jetë 25.2 trilion dollarë me çmime konstante të vitit 2017.
“Nëse tendenca po bëhet më e re, atëherë barra ekonomike do të jetë shumë më e rëndë, sepse ne po humbasim njerëz në popullsinë në moshë pune që mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike,” thotë Chen. Të mbijetuarit e kancerit mund të mos jenë në gjendje të rimarrin nivelet e tyre të mëparshme të produktivitetit, thotë ajo.
Disa shkencëtarë thonë se kanë identifikuar dallime në strukturën molekulare të kancerit tek të rinjtë, duke treguar nevojën e mundshme për trajtime specifike që synojnë këtë grup. Tomotaka Ugai, një instruktor në Shkollën Mjekësore të Harvardit, i cili udhëhoqi një studim mbi normat në rritje të kancerit në moshë të hershme i cili tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare ndaj tendencës në vitin 2021, thotë se për shumë lloje kanceri si gjiri, kolorektal, endometrial, mieloma e shumëfishtë, pankreatik dhe prostatë, “Kanceret me fillimin e hershëm kanë karakteristika klinike më agresive”.
Një pyetje që ngrihet është nëse shkaqet e rasteve të fillimit të hershëm janë të ndryshme nga ato të diagnostikuara në moshat më të mëdha, por për këtë duhen ende studime. Mjekët besojnë se duhet të jenë në gatishmëri për kancerin në moshat 20-30-vjeçare, duke e ditur se rastet po rriten gjithnjë e më tepër.
Pyetja që preokupon studiuesit dhe mjekët është nëse rritja e rasteve gjatë dekadave të fundit përfaqëson majën e një ajsbergu shumë më të madh epidemiologjik. Në punimin e tyre kërkimor, Ugai dhe kolegët e tij studiues paralajmëruan për mundësinë që ata që aktualisht janë fëmijë, adoleshentë dhe të rinj të rritur mund të kenë rreziqe më të larta të kancerit gjatë gjithë jetës së tyre krahasuar me gjeneratat e vjetra. Dhe mund të mos ndalet te kanceri. Të njëjtët faktorë rreziku mund t’i ekspozojë ata ndaj kushteve të tilla si diabeti dhe sëmundja inflamatore e zorrëve, thanë shkencëtarët, duke sugjeruar një barrë më të lartë të sëmundjes kronike në të ardhmen, nëse nuk ndërmerren veprime për të nxitur mënyra më të shëndetshme të jetesës dhe të ushqyerit, dhe për të reformuar mënyrën se si ushqimi prodhohet dhe shpërndahet.
Ndërsa prevalenca e pirjes së duhanit, një shkak kryesor i kancerit, është ulur në shumë pjesë të botës gjatë dekadave të fundit, obeziteti, pasiviteti fizik dhe faktorë të tjerë rreziku janë rritur, vëren Ugai.
Edhe në Shqipëri janë shtuar rastet e kësaj sëmundje të moshat e reja. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2031 ndër të tjera bëri me dije se do të zgjerohet edhe mosha e depistimit për ta zbuluar atë në fazën e sëmundjes që herët është rrjedhojë e përhapjes së kësaj sëmundje edhe te moshat e reja në Shqipëri. Zgjerimi i grup moshës target të përfshirë në programin e depistimin nga 40-50 vjeç u bë 35-60 vjeç.
Përshtati nga Financial Times, Kleida Muka
Top Channel