Mos merrni ashensorin! Shkallët i bëjnë mirë zemrës, studimi: Ngjitja e tyre ul me 39% rrezikun e vdekjes

18/09/2026 15:33

Nëse për t’u ngjitur në shtëpi jeni përpara zgjedhjes ashensorin apo shkallët?! JO! Merrni më mirë shkallët.

Një studim i bërë nga studiues anglezë ka dalë në konkluzionin se ngjitja e shkallëve çdo ditë ndihmon shëndetin e zemrës dhe ul rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, ishemitë dhe hemorragjitë cerebrale. Kështu që hiqni dorë nga justifikimi se nuk kam kohë të shpenzoj në palestër.

Sëmundjet e zemrës janë një ndër shqetësimet e shëndetit publik në vendin tonë, pasi afro 53 % të vdekjeve gjatë vitit 2025 i atribuohen sëmundjeve që kanë të bëjnë me enët e gjakut dhe probleme të tjera kardiovaskulare. Shkak i tyre janë presioni i lartë i gjakut, kolesteroli, mbipesha, të cilat ndikojnë direkt në dëmtimin apo bllokimin e enëve të gjakut.

Statistikat tregojnë se 41% e grupmoshës nga 30 deri 79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë dhe po kështu kuzhina jonë mesdhetare me shumë mish dhe yndyrë bën që një pjesë e mirë të rezultojë me kolesterol të lartë. Ajo që mjekët kardiologë nuk ndalen duke na rekomanduar është shtimi i aktivitetit fizik.

Madje studiues në një universitet në Angli kanë analizuar të dhëna në 480 mijë persona të shëndetshëm dhe me probleme kardiake, të moshës nga 35-80 vjeç, dhe zbuluan se ata që ngjiteshin rregullisht me shkallë kishin 39% më pak rrezik të vdisnin nga sëmundjet e zemrës dhe 24 % më pak rrezik të vdisnin nga çdo shkak tjetër, krahasuar me personat që i përdornin shkallët më rrallë. Ngjitja e shkallëve ndikon në uljen e kolesterolit në gjak dhe lidhet gjithashtu me një rrezik më të ulët për infarkt dhe goditje në tru.

Hipni dhe zbrisni shkallët çdo ditë nëse doni të ndihmoni shëndetin e zemrës dhe trurit.

Top Channel