Miley Cyrus i jep fund beqarisë/ Këngëtarja kurorëzon dashurinë me Maxx Morando në një ceremoni përrallore në Kaliforni

22/11/2026 17:11

Këngëtarja e njohur amerikane Miley Cyrus ka kurorëzuar dashurinë me partnerin e saj prej katër vitesh, bateristin Maxx Morando, në një ceremoni private të zhvilluar të shtunën në Palm Springs, Kaliforni.

Çifti i ka dhënë fund beqarisë në një dasmë romantike pranë një pishine, ku ceremonia u zhvillua nën një hark të zbukuruar me lule të bardha. Miley kishte zgjedhur një fustan të bardhë nusërie, ndërsa në këtë ditë të veçantë nuk munguan njerëzit më të afërt të saj, mes tyre nëna Tish Cyrus dhe motra Noah Cyrus, raporton BBC.

Lidhja e çiftit u bë edhe më serioze vitin e kaluar, kur Miley konfirmoi fejesën gjatë një interviste në emisionin amerikan Good Morning America. Propozimi romantik kishte ndodhur gjatë një udhëtimi në Azi.

Këngëtarja tregoi se partneri e kishte surprizuar plotësisht, pavarësisht se ajo vetë pranoi se nuk ishte aspak e lehtë për t’u surprizuar, pasi i pëlqente të kishte gjithçka nën kontroll.

Edhe Maxx kishte rrëfyer se ishte treguar shumë i kujdesshëm për ta mbajtur propozimin sekret, duke pritur deri në momentin e fundit të udhëtimit të tyre në Japoni.

Kjo është martesa e dytë për Miley Cyrus. Ajo ishte më parë e martuar me aktorin australian Liam Hemsworth, me të cilin u kurorëzua në vitin 2018, pas një lidhjeje rreth dhjetëvjeçare. Megjithatë, çifti u nda në vitin 2019.

Miley dhe Maxx ishin njohur përmes miqve të përbashkët, pasi ishin prezantuar në një takim të organizuar si takim romantik ‘blind date’. Maxx Morando është baterist i grupit amerikan Liily, i cili ka bashkëpunuar edhe në eventin televiziv të Vitit të Ri të organizuar nga Miley në vitin 2022.

Top Channel