Sa kushton? Kjo është shtëpia më e izoluar në botë në mes të Oqeanit

19/09/2026 10:34

Një banesë e vogël lundruese në mes të Atlantikut, mes Floridës dhe Kubës, pretendon të jetë një nga akomodimet Airbnb më të izoluara në botë.

Influenceri 23-vjeçar spanjoll i udhëtimeve, Ruben Olgado, nga Barcelona, udhëtoi deri te i ashtuquajturi Tiki Suite, duke dokumentuar përvojën e tij në një video që grumbulloi qindra mijëra shikime në “YouTube” dhe dhjetëra mijëra pëlqime në “Instagram”.

Për të mbërritur atje, Olgado fillimisht udhëtoi rreth 10 orë me avion nga Barcelona drejt Majamit, më pas udhëtoi pesë orë me makinë deri në Key West dhe në fund hipi në një varkë për një tjetër orë. Akomodimi nuk mund të arrihet në asnjë mënyrë tjetër.

Madje, duke qenë se Tiki Suite konsiderohet teknikisht një mjet lundrues, vizitori ka nevojë për licencë drejtimi të mjetit lundrues për të kaluar natën atje. Përvoja nuk është aspak e lirë: sipas tij, një qëndrim prej pesë netësh kushton rreth 3,458 dollarë.

Paralajmërimi për peshkaqenët

Para se të niste udhëtimin, pronari i akomodimit, të cilin Olgado e quan “Captain Chris”, i dha një listë me furnizimet që duhej të blinte, si edhe udhëzime të qarta për sigurinë. Ndër të tjera, i rekomandoi të mos largohej shumë nga banesa lundruese.

“Nuk do të ishte hera e parë që dikujt do t’i duhej të shpëtohej”, i tha ai. Kishte edhe një paralajmërim të dytë: peshkaqenët. Siç shpjegoi Olgado, zona e Key West është e njohur për popullsinë e madhe të peshkaqenëve, diçka që, siç pranoi ai, i shtoi edhe më shumë ndjesinë e aventurës gjatë qëndrimit.

Ndërkohë, të notonte deri atje ishte gjithsesi e pamundur, pasi ai udhëtonte me kamera, bagazhe dhe pajisje peshkimi.

Një stuhi tropikale dhe dyshimet e para

Izolimi u bë edhe më i theksuar kur gjatë qëndrimit të tij shpërtheu një stuhi tropikale. Ai pranoi se për pak çaste nisi të pyeste veten nëse ishte vërtet ide e mirë të qëndronte i vetëm në mes të detit. Megjithatë, stuhia kaloi pa shkaktuar ndonjë incident.

“Përvoja ishte njëkohësisht e qetë, aventureske dhe paksa e frikshme”, tha ai më vonë, duke vlerësuar se ky akomodim u drejtohet kryesisht njerëzve që kërkojnë destinacione të pazakonta dhe nuk e kanë problem të qëndrojnë larg qytetërimit për disa ditë.

Delfinë, raja dhe anije të mbytura nën ujë

Listimi i Tiki Suite në Airbnb e rendit atë në 10% të akomodimeve më të vlerësuara të platformës, duke e përshkruar si një “përvojë të qetë glamping, jashtë rrjetit, që nuk do ta gjeni askund tjetër”.

Sipas përshkrimit, vizitorët mund të shohin shpesh delfinë, manatë, raja dhe tufa peshqish tropikalë që kalojnë pranë banesës lundruese. Pavarësisht izolimit, akomodimi ka ajër të kondicionuar, një krevat prej druri lisi të ndërtuar posaçërisht dhe një televizor të fshehur.

Brenda ka edhe DVD për orët kur vizitori qëndron në ambientet e brendshme, mes tyre “The Shawshank Redemption”, “Django Unchained”, “The Aviator” dhe “The Notebook”. Olgado, megjithatë, zgjodhi diçka më të përshtatshme për situatën. “Meqë ndodhemi në mes të detit”, tha ai, vendosi të shikonte “Titanic” të James Cameron.

Në videon e tij 31-minutëshe, ai shfaqet gjithashtu duke bërë snorkeling pranë anijeve të fundosura, duke përdorur paddle board dhe duke peshkuar për darkën e tij.

Top Channel