Akuzohen për përvetësimin e 1143 hektarëve tokë përmes dokumenteve të falsifikuara, Gjykata lë në burg ish-drejtuesit e ASHK-së në Fier
Pandeli Majko, ish-Kryeministri shqiptar i Luftës së Kosovës, ka reaguar në Facebook pas vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke ngritur pyetjen “Ku gabuam?”.
Majko e cilëson situatën si një moment reflektimi për politikën shqiptare dhe shprehet se dënimet kanë prodhuar një krizë që, sipas tij, nuk është vetëm politike, por prek edhe mënyrën se si do të perceptohet trashëgimia e UÇK-së nga brezat e rinj.
Në reagimin e tij, Majko argumenton se akuzat lidhen kryesisht me periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe i lidh ato me zhvillimet politike të asaj kohe. Ai shprehet se vendimet e Hagës do të ndikojnë edhe në mënyrën se si shkruhet historia dhe ngre pyetjen se pse shqiptarët “humbën betejën me Serbinë” në Hagë, duke theksuar se përgjigjja se “na tradhtuan” nuk mjafton si shpjegim.
“Dënimet e fundit në Hagë e kanë kthyer politikën shqiptare në një varrezë ambiciesh”, shprehet ai, duke shtuar se “‘krimet e luftës’ janë pjesë e betejave politike se kush do të drejtonte Kosovën pas luftës”.
Reagimi i plotë:
KU GABUAM… ?
Pas deklarimit të vendimeve të Hagës në dënimin për “krime lufte” të drejtuesve të UÇK-së, vjen një reflektim i cili bllokohet nga pyetja “Ku gabuam?”…
Dënimet e fundit në Hagë e kanë kthyer politikën shqiptare në një varrezë ambicjesh!
Prezenca e politikanëve sot, i ngjan shpejgimit dorëzues se “… në fund, nuk munda të bëj asgjë, veç të isha i pranishëm!”
Në të tilla momente njeriu sajon histori për ti dhënë kuptim të shkuarës… derisa trillimi zëvendëson të vërtetën! Ky është ngushëllim por jo justifikim!
Ngushëllimi i parë është ai që UÇK doli e pastër nga gjykimi në Hagë! UÇK po rikonsiderohet si një “ushtri e mirë” por me drejtues të akuzuar për krime lufte!…
Kriza që prodhoi Haga, nuk është vetëm politike! Ajo do të ngrejë pyetje të vështira nga shqiptarët e rinj për këtë trashëgimni e cila po legalizohet në Hagë!
Përgjigjet që nuk thuhen sot, do të kuptohen nesër!
“Krimet e luftës” për të cilat akuzohen drejtuesit e UÇK-së janë kryesisht të periudhës së PAS LUFTËS, mbas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, ku Jugosllavia e mbetur, firmosi humbjen e Luftës!
“Krimet e luftës” janë pjesë e betejave politike se kush do të drejtonte Kosovën PAS LUFTES!
Tek “krimet e luftës” u paketuan dëshmitë e spiunëve të Serbisë me ata që u përplasën politikisht me ish drejtuesit e UÇK-së kryesisht, PAS LUFTES!
Tek “krimet e luftës” u ndërlidhën akuzat për korrupsion për ish drejtues të UÇK-së PAS LUFTËS!
Për ata që vlerësojnë se me gjykimin e Hagës për shpalljen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si “kriminel lufte” është vendosur drejtësia kanë një gabim në interpretim!
Serbia si aktorja më aktive e gjykatës së Hagës për dënimin e shqiptarëve nuk i intereson se cfarë ka ndodhur PAS LUFTËS! Ajo kërkon një justifikim substancial për domethënien e krimeve të saj shtetërore karshi shqiptarëve!
Serbët janë një komb i edukuar me narcizisëm! Serbia dëshiron të fitojë LUFTËN e humbur në librat e historisë!
Vendimi për “krime lufte” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë të mjaftueshme për “revanshin” në betejën e historisë së shkruajtur!
Vini re që dënimet maksimale janë për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin të cilat kanë qenë fytyrat më publike të UÇK-së gjatë Luftës!
Krenaria në historinë e shqiptarëve pas Skënderbeut nuk ka fytyra udhëheqësish! Të gjithë kanë nga një “bisht” me akuza për tradhëti apo diktatorë!
Kjo është pjesë e dramës shqiptare dhe deformimit që kundërshtarët e tyre gjeopolitik kanë nxitur! Por ajo është pasojë edhe pasionit pa kufizime dhe egos së drejtuesve të një kombi me histori shtetërore modeste!
Deformimet për ti trajtuar shqiptarët si komb i dështuar hyn tek një teknikë historike që nuk shkruhet por nënkuptohet!
Luftërat serbe fillojnë në libra për të vazhduar në realitet! Vendimi i Hagës ishte i rëndësishëm për “librin” e ri të RIKTHIMIT të Serbisë në Kosovë…
Ndaj sot, reflektimi se KU GABUAM duhet të jetë kolektiv!
Pyetja më e rëndë, është PSE në Hagë humbëm betejën me Serbinë? Përgjigja se na “tradhëtuan”… është veç ngushëllim!
Top Channel