2023-shi ishte kuqezi! Një nga ngjarjet që shenjuan vitin që po lemë pas ishte padyshim kualifikimi i Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Futbollit.

Rrugëtimi i Kombëtares nisi në fillim të këtij viti, kur drejtimin e skuadrës e mori Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur ndryshe si Silvinho. Braziliani 48-vjeçar nënshkroi një kontratë 18-mujore deri në 2024 me premtimin se do të bëjë një punë të mirë për arritjen e objektivit të kuqezinjve, kualifikimi për në “Euro 2024”. E nisi me grumbullimin e futbollistëve, që luajnë në skuadra të rëndësishme në Europë. Me nisjen e ndeshjeve kualifikuesve me rezultatet pozitive dhe potencialin e skuadrës, menjëherë lindi shpresë se mund të siguronim një biletë për në Gjermani. Si asnjëherë tjetër, Arena Kombëtare mbushej plot me tifozë, që biletat i blinin në garë me njëri-tjetrin. Ata që nuk ia dilnin, ndiqnin ndeshjet në qendër të kryeqytetit dhe në qytete të tjera, duke veshur sheshet kuqezi dhe duke e shndërruar në një festë të madhe. Festa gjigante ishte pas ndeshjes së fundit me Ishujt Faroe, ku Kombëtarja siguroi kualifikimin si e para në grup.

UEFA renditi dy nga golat e futbollistëve tanë ndër më të mirë e të gjitha ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024”. Sulmuesi Asani u rendit i dyti me për perlën kundër Polonisë, ndërsa mesfushori Asllani i treti për “silurën” e realizuar në transfertë kundër Ishujve Faroe.

Sylvinho, që përmbushi më së miri ‘premtimin’ e dhënë u surprizua pak ditë më patë, kur në Mbrëmjen e Madhe të Yjeve të Futbollit 2023, iu dha kombësia shqiptare. Ndërsa futbollistët do të pajisen me pasaporta diplomatike. Sipas analistëve të futbollit, aftësitë e djemve tanë janë të mëdha dhe Kombëtarja është në një fazë të mirë, por po aq të mëdhenj janë edhe kundërshtarët. I cilësuar si grupi i ferrit, Shqipëria do të luajë në Europian me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Përveç futbollit, pamë të ngrihej flamuri kuqezi në kampionate të ndryshme brenda dhe jashtë kontinentit. Shqipëria ka edhe një kampione Bote për të reja në sportin e skive. Në garën për Kupën e Botës në Sant’Anton të Austrisë, skiatorja Laura Colturi që përfaqësoi Shqipërinë, zuri vendin e parë në garën klasike të skijimit Super Gjiganti, duke merituar vendin e parë dhe titullin e lartë të kampiones së Botës për të reja. Ky sukses i madh i sportit të skive ishte edhe një sukses për sportin shqiptar, që tashmë ka një kampione bote.

Edhe në Kupën e Botës që u mbajt në Finlandë gjatë nëntorit, skiatorja 17-vjeçare arriti një tjetër rezultat historik, duke u renditur në vendin e 12-të.

Disa medalje arriti të marrë edhe këtë vit atletja Luiza Gega, arritje që e bënë të komentohet në arenën europiane të atletikës.

Kampionatin Evropian Ekipor të Atletikës, Gega mori pikët maksimale në garën e 5000 metrave për femra. Ajo la pas të gjithë kundërshtaret me kohën 15:32.39, rreth 4 sekonda më e shpejtë se rivalja Salpeter nga Izraeli.

Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Kraljevo të Serbisë, atletja mori medalje të artë në disiplinën 3000m/p me kohën 9.21.53.

Koha në të cilën Gega arriti të kalonte vijën e finishit është normë kualifikuese për në Lojërat Olimpike Paris 2014. Ajo bëhet sportistja e parë shqiptare e kualifikuar për në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe sportistja e parë shqiptare që ka marrë biletën kualifikuese për në Paris 2024.

Ndërsa në Botërorin e Atletikës në Budapest të Hungarisë, 34-vjeçarja u rendit në vendin e tetë në finalen e garës së 3000 m me pengesa për femra një distancë që e përshkoi me kohën 9 minuta 10 sekonda e 27 të qintat që është koha më e mirë e saj në këtë sezon dhe shumë pranë rekordit kombëtar të kësaj disipline.

Shqipëria mori medalje edhe në Botërorin e Mundjes. Përfaqësuesi i Shqipërisë në Botërorin e Mundjes të mbajtur në Serbi, Zelimhan Abakarov, siguroi medalje bronzi në Botërorin e Mundjes, ndërsa u rendit i treti.

Ndërkohë, në Kampionatin Ballkanik të Karatesë për të rritur dhe veteranë që u zhvillua për herë të parë në Tiranë, Shqipëria mori tre medalje, një të artë për veteran, një argjendi për peshën deri në 60 kg dhe një tjetër po të argjendtë për peshën deri në 67 kg.

Sukses mes shqiptarëve edhe në boks. Një ndër të cilët, Nelson Hysa, pas rripit të artë në Tiranë, mori një tjetër në Mal të Zi.

Më shumë evente sportive pa këtë kryeqyteti, që për 2023-shin mbajti titullin e Qytetit Europian të Sportit. Në Tiranë u organizuar për herë të parë edhe  Women’s Champions League, pjesë e së cilës ishte edhe Vllaznia.

2023 do të mbahet mend edhe për tragjedinë më të madhe në fushën e blertë. Një futbollist, vetëm 28 vjeç ndërroi jetë gjatë ndeshjes.

Sulmuesit dhe kapiteni i Egnatias, Raphael Dwamena pësoi një atak kardiak në fushën e futbollit, teksa po luante në ndeshjen Egnatia-Partizani. Autor i 8 ndeshjeve dhe 2 golave me kombëtaren afrikane, firmosi me Egnatian në janarin e këtij viti. I vetëdijshëm për problemin e tij shëndetësor, ai ishte i vendosur për mos t’u ndarë nga futbolliti, që e cilësonte jetën e tij.

Sara Hila/ TCH

Top Channel