Alarm në SHBA, pikaset një avion që fluturonte mbi Camp David ku po qëndronte Trump
Anton Afinogenov, një prej truprojave të Presidentit rus Vladimir Putin, ka tërhequr vëmendjen për pamjen e tij fizike dhe praninë e vazhdueshme pranë liderit rus gjatë udhëtimeve dhe aktiviteteve publike.
I cilësuar nga disa fansa si “agjenti 007” personal i Putinit, Afinogenov është pjesë e Shërbimit të Sigurisë Presidenciale ruse (SBP). Megjithatë, pavarësisht se është shfaqur në fotografi dhe pamje të ndryshme zyrtare prej vitesh, shumë pak të dhëna personale për të janë bërë publike. Mosha, grada, qyteti i lindjes dhe arsimi i tij mbeten të panjohura.
Sipas “The Sun”, Afinogenov është bërë veçanërisht i komentuar në rrjetet sociale, ku janë krijuar edhe faqe fansash që e përshkruajnë me nofka si “AA” dhe “Handsome Anton”.
Truproja është parë për herë të parë pranë Putinit në korrik të vitit 2011, ndërsa mund të ketë qenë pjesë e ekipit të sigurisë edhe më herët.
Identiteti i tij u bë publik në mars të vitit 2025, kur Dossier Centre publikoi një listë të truprojave që kishin lejen dhe besimin e nevojshëm për të shoqëruar Putinin gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Bazuar në arkivat zyrtare fotografike, Afinogenov u identifikua si një nga nëntë truprojat që e shoqëruan më shpesh presidentin rus gjatë udhëtimeve të tij.
Pavarësisht përpjekjeve për të zbuluar më shumë rreth ekipit të sigurisë, për Afinogenovin janë gjetur shumë pak të dhëna.

Sipas raportimeve, ai peshon më shumë se 100 kilogramë dhe ka një fizik shumë muskuloz. Burime të cituara nga mediat pretendojnë se ai ka trajnim paraushtarak dhe përvojë në artet marciale, duke e kthyer atë në një figurë që në rrjetet sociale është krahasuar me personazhet e filmave aksion dhe është cilësuar si “super ushtar”.

Ndërkohë, në internet janë shfaqur edhe teori të pakonfirmuara që e lidhin pamjen dhe aftësitë e tij me programe sekrete të “përmirësimit bioteknologjik” të ushtarëve. Nuk ka prova publike që të vërtetojnë këto pretendime.

Siguria e Putinit është ndër më të rreptat në botë. Sipas raportimeve, truprojat e tij përzgjidhen bazuar në karakteristika fizike dhe psikologjike, ndërsa para udhëtimeve të presidentit kryhen kontrolle të hollësishme në destinacionet ku ai do të shkojë.

Raportime të tjera thonë se truprojat mbajnë pajisje të posaçme mbrojtëse dhe se pranë Putinit kufizohet përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike.
Pikërisht kjo shkallë e lartë e fshehtësisë ka bërë që Anton Afinogenov të mbetet një prej figurave më misterioze të rrethit të sigurisë së presidentit rus, ndërsa fotografitë e tij pranë Putinit kanë nxitur gjithnjë e më shumë interes në rrjetet sociale.
Top Channel