Përgatitjet kundër Moldavisë/ Sërish ndryshime në listën e Silvinjos, dëmtohet Ivan Balliu

08/06/2023 20:00

Kombëtarja shqiptare ka vijuar në ditën e tretë përgatitjet për dy ndeshjet e kualifikueseve të Europianit 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Përveç seancës stërvitore stafi teknik organizoi edhe një miqësore me Kombëtaren U-19 në Shtëpinë e Futbollit, teksa trajneri Silvinjo ka pasur mundësi të testojë grupin që ka aktualisht në dispozicion në një ndeshje kontrolli.

Testi stërvitor zgjati për 60 minuta me ekipet që luajtën në fushë me përmasa më të vogla se ajo standarde, duke provuar kështu gjendjen reale të lojtarëve. Sakaq, disa nga lojtarët të cilët kanë mbërritur më vonë në grumbullim u stërvitën veçmas me përgatitësin atletik.

Më konkretisht Sokol Cikalleshi, Mario Mitaj dhe Qazim Laçi u stërvitën vetëm në palestër dhe ushtrime fizike në fushë për të mos marrë shumë ngarkesa fizike, ndërsa nga nesër do të stërviten normalisht me grupin. Ditën e sotme pritet të bashkohen edhe disa nga lojtarët e tjerë, duke formuar kësisoj gradualisht grupin përfundimtar të thirrur për këto dy sfida.

Ndërkohë që një lajm jo i mirë për kuqezintjë dhe trajnerin Sylvinho është dëmtimi i Ivan Balliut. Futbollisti kuqezi i është nënshtruar vizitave mjekësore pas ndeshjes së fundit në La Liga me klubin e tij Rayo Vallecano për një problem në tendinën. Për të zëvendësuar mungesën e tij trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë mbrojtësin Naser Aliji.

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë kundër Moldavisë më 17 qershor në stadiumin kombëtar “Air Albania”, ndërsa më 20 qershor, kuqezinjtë do të luajë në transfertë ndaj Ishujve Faroe.

Top Channel