Alban Bushi: Kombëtarja Shpresa është baza e kombëtares A

08/06/2023 13:16
Alban Bushi, trajner i Kombëtares U-21

Kombëtarja U-21 do të nisë të hënën grumbullimin për ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë, që do të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’ më 20 qershor.

Mesditën e kësaj të enjteje, trajneri i Shpresave, Alban Bushi zbardhi listën e 22 futbollistëve të thirrur për këtë sfidë ku janë një sërë emra të  rinj për t’u testuar për ndeshjen miqësore që do të vlejë edhe për fushatën eliminatore që do të startojë në shtator për kampionatin “Europian 2025”.

“Ndeshja me Bullgarinë do të na vlejë shumë për të përgatitur ekipin për ndeshjen e parë zyrtare që do të luajmë në shtator përballë Armenisë, sepse të dyja ekipet kanë të njëjtin sistem loje. Vërtet mund të kemi disa mungesa lojtarësh, se disa janë penguar nga klubet apo disa kanë kaluar tek ekipi i parë A, por edhe lojtarët që kemi marrë janë të një niveli shumë të mirë dhe do ta përballojnë shumë mirë këtë ndeshje si në aspektin e lojës ashtu edhe në atë të rezultatit.”

Por situata e marrjes së disa lojtarëve nga ekipi i parë A edhe pse dëmton disi ekipin shpresa, siç thekson Bushi, tashmë ka krijuar një traditë me krijimin e elementëve që vijnë nga ekipet zinxhir.

“Tashmë puna e bërë me ekipet zinxhir ka dhënë rezultat pasi ekipi i parë nuk merr më lojtarë të gatshëm, të rritur që vijnë nga jashtë në moshë madhore si dikur që kemi marrë Gjimshitin apo Mavrajn, por kemi lojtarë të cilët formohen në ekipet zinxhir dhe kalojnë lartë tek ekipi i parë A duke formuar një lloj tradite”.

Në këtë listë  nga 22 lojtarë, 14 vijnë nga kampionatet e huaja dhe 8 prej tyre nga kampionati shqiptar, ndërkohë që një pjesë është në ekipin e parë A që mund t’i bashkohen kombëtares Shpresa në shtator, kur fillojnë edhe eliminatoret e Evropianit. Shqipëria ndodhet në grupin E së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

Top Channel