Në kohën kur situata ende nuk është shtensionuar në veri të Kosovës, duke detyruar të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajcak të rinisjen ecejaket diplomatike në rajon, Albin Kurti, përmendi sërish idenë e shkëmbimit të territoreve duke thënë se kjo çështje ka qenë pjesë e bisedimeve për ndarje të Kosovës.

Teksa kërkoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për qetësimin e situatës, Kurti insistoi se një projekt i tillë, edhe pse i dështuar, duket se po kërkohet të realizohet përmes dhunës.

”Janë tre kategori që po i bëjnë këto trazira sepse po e shohin që Kosova është shtet, që Kosova ka polici profesionale që ne jemi vend demokratik që po zhvillohemi, ndërsa ata duan ndarjen e saj, duan copëtimin e Kosovës, ky është synimi i qartë i tyre”, u shpreh ai në një intervistë për TheGeopost.

Kurti u shpreh se kjo ide kishte nxitur edhe disa shqiptarë të merreshin me të.

”Shkëmbimi territorial ka qenë emërtimi për ndarjen e Kosovës i cili do t’i joshte edhe disa shqiptarë që ta pranonin”, tha ai.

“Ata nuk kanë hequr hequr dorë nga kjo ide, e cila mund të zbatohet vetëm përmes dhunës. Dikur mund të vinte përmes bisedimeve, por sot kjo mund të ndodhë vetëm përmes dhunës, ndaj na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë”, është shprehur kryeministri kosovar.

Ai shtoi se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta shmangë vëmendjen nga kriza e brendshme që ka, sepse asnjë popull nuk mund të qëndrojë gjatë pa liri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA