“Kjo është beteja e fundit”/ Spotet e Trump ndezin polemika, opozita: Propagandë e paligjshme e paguar nga taksapaguesit Ndërsa Shqipëria është vlerësuar nga Bashkimi Evropian si pararojë në rajon në procesin e integrimit dhe të hënën u zhvillua në Tiranë konferenca ndërparlamentare për zgjerimin, nga Brukseli njoftohet një tjetër hap pozitiv.
Bashkimi Evropian po harton një plan veprimi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe tre kandidatëve të tjerë, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia. Për herë të parë, Brukseli po shqyrton caktimin e datave për këto katër vende për të përfunduar fazat kryesore të bisedimeve.
Sipas asaj që raporton “Politico”, e cila citon dy zyrtarë të lartë nga Komisioni Evropian, unioni po përgatit një “udhërrëfyes” të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, që parashikon një rrugë të qartë, hap pas hapi, drejt anëtarësimit, me reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave.
Sipas këtij plani, Shqipëria do të ketë një listë të qartë reformash dhe data orientuese për përfundimin e grup-kapitujve të negociatave. Në këmbim, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin.
Shqipëria ka hapur tashmë të 33 kapitujt negociues dhe në muajin korrik mbylli tre prej tyre: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë.
Sipas raportimeve të fundit, komisioni po punon me objektivin që negociatat e Shqipërisë të përfundojnë deri në dhjetor 2027, por ky afat është ende pjesë e planifikimit dhe pritet të formalizohet në kuadër të udhërrëfyesit.
“Politico” thekson gjithashtu se dy data të tjera janë vendimtare. 6 tetori, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, dhe 15-16 tetori, kur liderët e unionit do të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme.
Ndërkohë, këtë javë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, udhëton drejt Ballkanit Perëndimor për bisedime me udhëheqësit e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por shmang Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, që janë në mes të zgjedhjeve kombëtare.
Top Channel