Video/ “O hajdut”, aktivistja i zë pritë Ulsi Manjës pasi del nga Komisioni i Ligjeve
Hetimet e SPAK për Sazanin dhe Zvërnecin kanë tërhequr vëmendjen e mediave të mëdha ndërkombëtare. Prej muajit qershor, disa media të njohura ndërkombëtare i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme me pyetje për hetimet, pronësinë dhe transaksionet e tokave, statusin e zonave të mbrojtura dhe projektet turistike të parashikuara në këto zona.
Sipas të dhënave të regjistrit zyrtar të kërkesave për informacion dhe përgjigjeve të publikuara nga SPAK, vetëm gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht 2026 për këto çështje kanë kërkuar informacion Fox News, CNN, CBS News, The New York Times, The Times, The Sunday Times, AFP, Anadolu Agency, Der Tagesspiegel, Daily Mail, Newsweek dhe France TV.
Kërkesat e regjistruara tregojnë se interesi ndërkombëtar u intensifikua në fillim të qershorit dhe vijoi gjatë korrikut dhe gushtit 2026.
Një nga sqarimet që SPAK përsërit në përgjigjet e tij lidhet me Jared Kushner.
Në pesë raste, në përgjigjet për Fox News, CNN London, CNN, CBS News London dhe Anadolu Agency, Prokuroria e Posaçme sqaron se nuk ka hetim ndaj Jared Kushner apo ndaj projekteve dhe kompanive të lidhura me të. Në disa prej këtyre përgjigjeve SPAK konfirmon se ka nisur një hetim tjetër, por specifikon se ai nuk lidhet me projektet e Kushner.
Më 2 qershor 2026, CNN London pyeti SPAK nëse kishte hapur hetim për projektin e resortit, nëse kishte plane për të ndërtuar në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë dhe nëse hetimi po shqyrtonte blerjen e tokës nga Affinity Partners.
Më 5 qershor, CNN iu drejtua sërish SPAK-ut, këtë herë për transferimin dhe shitjen e tokave rreth Zvërnecit. Media kërkoi të dinte nëse po hetoheshin dokumente të falsifikuara të pronësisë apo praktika të parregullta që lidhen me heqjen e statusit të mbrojtur të tokës.
Po më 5 qershor, CBS News London, duke iu referuar protestave kundër kompleksit turistik në bregdet dhe raportimeve se SPAK kishte hapur një hetim, kërkoi konfirmim nëse një hetim i tillë ishte hapur.
Në të njëjtën ditë, Anadolu Agency kërkoi informacion për veprimet e SPAK lidhur me Albania Land Development, bazën ligjore të sekuestrimit të pretenduar të llogarive bankare, objektin e hetimit dhe nëse po shqyrtoheshin subjekte të tjera për të njëjtat transaksione tokash.
Në përgjigjet e 8 qershorit për CNN dhe Anadolu Agency, SPAK deklaroi se nuk kishte asnjë hetim të hapur për ndonjë projekt të lidhur me Jared Kushner. Prokuroria e Posaçme sqaroi se kishte nisur një hetim tjetër, i cili nuk lidhej me objektin e kërkesave të këtyre mediave.
Edhe CBS News mori një sqarim të ngjashëm. SPAK konfirmoi se kishte nisur një hetim, por theksoi se ai nuk kishte të bënte me asnjë projekt apo kompani të lidhur me Jared Kushner.
Në rastin e Anadolu Agency, SPAK sqaroi gjithashtu se nuk kishte urdhëruar masa sekuestrimi preventiv mbi llogaritë bankare të Albania Land Development.
Më 8 qershor 2026, The Times kërkoi dokumente që lidhen me procedime, hetime, verifikime, kallëzime, sekuestrime apo veprime të tjera të SPAK për vendimet e marra që prej vitit 2024 për ndryshimin e statusit të mbrojtjes së tokës, dhënien e statusit “Investitor Strategjik” apo lehtësimin e ndërtimeve të reja turistike në ishullin e Sazanit.
SPAK iu përgjigj The Times më 10 korrik, duke konfirmuar se kishte nisur një hetim për këtë çështje. Për shkak të konfidencialitetit të hetimit paraprak, nuk dha hollësi të tjera.
Më 16 qershor, The Sunday Times i dërgoi SPAK një kërkesë të detajuar për Artur Shehun dhe 19 persona të tjerë, urdhër-arrestet, dyshimet për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i kokainës përmes pronave dhe tokave turistike, si dhe lidhjet e mundshme me tokat në Vjosë-Nartë dhe zhvillimin e propozuar në Zvërnec.
Në përgjigjen e 10 korrikut, SPAK konfirmoi se kishte nisur një hetim për çështjen, por nuk dha detaje të tjera për shkak të konfidencialitetit të hetimit paraprak.
Më 24 qershor 2026, The Times iu drejtua sërish SPAK-ut, këtë herë për pretendimet mbi përfshirjen e Izraelit në investimet në Sazan dhe Zvërnec. Media pyeti për transaksionet e projekteve turistike, transferimin e tokave, personat dhe kompanitë nën hetim, transaksionet e South Adriatic Development me pronarët e tokave në Zvërnec dhe nëse nga hetimet kishte rezultuar ndonjë përfshirje e shtetit të Izraelit.
Më 10 korrik, SPAK konfirmoi se kishte nisur një hetim për çështjen, por nuk dha hollësi të tjera për shkak të sekretit të hetimit paraprak.
Interesi i mediave të huaja vijoi edhe në korrik.
Më 1 korrik 2026, gazeta gjermane Der Tagesspiegel, duke iu referuar interesit publik për projektet e investimeve në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit, kërkoi një intervistë me prokurorin përgjegjës. Në përgjigjen e 10 korrikut, SPAK konfirmoi se kishte nisur një hetim për çështjen, por nuk dha detaje të tjera.
Më 13 korrik, Daily Mail kërkoi koment nga SPAK për një raportim të Reuters të 11 korrikut, sipas të cilit biznesmeni A.Sh., i kërkuar në Shqipëri, dyshohej për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së tokës ku J.K. kërkonte të ndërtonte një resort. Në kërkesë përmendeshin gjithashtu pretendimet për trafik kokaine dhe pastrim të parave përmes pasurive të paluajtshme me dokumente pronësie të falsifikuara.
SPAK, më 16 korrik, nuk dha informacion shtesë, duke iu referuar konfidencialitetit të hetimeve në fazën paraprake dhe informacioneve të bëra publike më parë.
Po më 13 korrik, Newsweek pyeti nëse vazhdonte hetimi për A.Sh. dhe dokumentet e dyshuara të falsifikuara të pronësisë, nëse vazhdonte të ishte në fuqi ngrirja e raportuar prej 110 milionë eurosh dhe nëse hetimi kishte ndikim mbi transaksionet e tokave të lidhura me projektin e propozuar Sazan-Zvërnec.
Në përgjigjen e 16 korrikut, SPAK nuk dha informacion për këto elemente konkrete, duke iu referuar konfidencialitetit të hetimit paraprak dhe njoftimeve të bëra publike më parë.
Interesi vijoi edhe gjatë gushtit 2026.
Më 17 gusht, France TV iu drejtua SPAK-ut duke thënë se projekti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit ishte pezulluar dhe se Prokuroria e Posaçme kishte nisur një hetim për lejen e ndërtimit. Media kërkoi dokumente zyrtare ose njoftime për shtyp lidhur me çështjen.
SPAK iu përgjigj France TV më 21 gusht 2026, duke deklaruar se për shkak të konfidencialitetit të hetimit paraprak nuk mund të jepte detaje të tjera.
Prokuroria e Posaçme iu referua informacioneve të bëra publike më parë dhe njoftimit për shtyp të 12 qershorit 2026 për goditjen e një rrjeti të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Top Channel