“Në Kosovë, do të ndodhë diçka që nuk e kemi parë deri tani”, presidenti serb Aleksander Vuçiç bëri disa parashikime të zymta për situatën aktuale të cilën e përshkroi si më të vështirën deri më tani.
“Kam frikë nga destabiliteti, madje edhe nga konfliktet e mëdha, sepse e di që serbët nuk mund të durojnë më, përderisa kryeministri i Kosovës Albin Kurti ëndërron që të bëhet si presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky”, deklaroi Vuçiç për televizionin serb, Pink.
Komentet e tij pasuan tensionet e rishfaqura në veri të Kosovës pasi policia ndihmoi kryetarët e rinj të porsazgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Leposavic dhe Zubin Potok, të hynin në zyrat e tyre.
Kaq u desh që të shpërthente indinjata e popullsisë vendase dhe përplasjet me forcat e rendit. Vuçiç shtoi se ka komunikuar me zyrtarët europianë, të cilët i druhen një përshkallëzimi të ri pasi serbët, nga sa pohoi ai, patjetër do të protestojnë dhe do të kërkojnë kthimin e objekteve të tyre të uzurpuara.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, një politikan serb i vijës së ashpër kur vjen fjala tek çështja e Kosovës, i tërhoqi veshin KFOR-it, duke i treguar ai nuk duhet të mbështetëse veprimet e njëanshme të Prishtinës.
“Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të ketë në komunat serbë kryetarë të cilët nuk janë zgjedhur nga serbët”, tha Daçiç për Radio-Televizionin e Serbisë, teksa shtoi se forcat e armatosura serbe mbeten në gjendje gatishmërie të lartë.
Top Channel