Kurti në takimin me të dërguarën britanike: Dënimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së janë të rënda dhe të padrejta

23/09/2026 14:51

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur shqetësimin për dënimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, gjatë takimit me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.

Kurti i cilësoi dënimet si të rënda dhe të padrejta, ndërsa tha se pret që në procesin e apelit të adresohen, sipas tij, padrejtësitë dhe mangësitë e aktgjykimit të shkallës së parë.

“Sot u takova edhe me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Biseduam për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.

E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi.

Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce.

Meqë nesër Dame Karen feston ditëlindjen, pata kënaqësinë t’ia uroja paraprakisht dhe t’i dhuroja një kujtim nga Republika e Kosovës”, shkruan Kurti.

Top Channel