“Për ty fik radarët e shtetit”/ Komunikimet Hyseni-Agasi, deputetët e opozitës zbulojnë mesazhet: I thoshte që çunat të veprojnë lirshëm

24/09/2026 15:33

Detaje të reja janë bërë publike nga komunikimet mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit, në kuadër të hetimit të SPAK.

Gjatë seancës së sotme parlamentare, deputetët e opozitës, Saimir Korreshi dhe Gazment Bardhi, gjatë fjalimeve të tyre, kanë zbuluar komunikime të reja të bëra publike mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni dhe Ergys Agasit, të dy nën arrest.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi u shpreh: “Shefja e shërbimit informativ të shtetit jo vetëm ndihmonte kreun e një organizate kriminale t’i arratisej drejtësisë, por i thoshte thuaj çunave të veprojnë lehtë sot, lirshëm sot, se ‘unë për ty fik radarët e shtetit’. E në fakt ja ka fikur radarët shtetit, ka fikur dhe radarët tuaj, sepse zyrtarisht shteti shqiptar është ndërruar në narkoshtet”.

“Radarët” ishin edhe subjekt i fjalës së deputetit tjetër të PD, Saimir Korreshi. “Kryeministrit duhet t’i themi që shtetit shqiptar sot i kanë fikur radarët, e kanë servirur në pjatë të krimit. Sot çdo njeri është në dorë të krimit. Vettingu, certifikatat, kush duhet të rrijë e ikë. Shteti ka rënë de facto sot. Ajo që ndodhi dje, i ka fikur llambat parlamentit. Ajo që ndodhi dje i ka fikur llambat qeverisë që bën si qorre”, u shpreh Korreshi.

Top Channel