11 varreza masive ende të pakonfirmuara, Kosova kërkon nga Serbia informacione dhe gërmime për të zhdukurit e luftës

23/09/2026 13:15

Institucionet e Kosovës janë rikthyer për kërkime në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit në Serbi, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës.

Ky është i treti vit që kjo zonë mbetet pjesë e agjendës së kërkimeve. Dyshimet lidhen me mbetje mortore që mund të ndodhen rreth 15 metra nën sipërfaqen e tokës, në një vendgrumbullimi plehrash. Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës, i tha REL-së se gërmimet do të vazhdojnë, pavarësisht se institucionet nuk kanë informacion të saktë për vendndodhjen e eshtrave.

“Përpjekjet tona do të vijojnë, megjithëse e theksoj se do të jemi shumë të kujdesshëm në kuptimin e menaxhimit të pritshmërive”, shprehet ai. Tre janë vendet ku po përqendrohet vëmendja në terren, të përllogaritura edhe mbi bazën e pamjeve satelitore, edhe pse Gara e pranon se pamjet në fjalë nuk e mbulojnë periudhën më të rëndësishme për të përcaktuar ndryshimet në terren.

Sipas tij, mbetet e paqartë se si ka qenë gjendja në prill dhe maj të vitit 1999, periudhë kur, sipas tij, janë kryer zhvendosje të kufomave nga vendet e masakrave drejt zonave të ndryshme në territorin e Serbisë. Ndërkohë, në Kosovë po vazhdon procesi i identifikimit të eshtrave të gjetura gjatë verës në tre varreza masive, në komunën veriore të Zubin Potokut. Autoritetet kanë konfirmuar deri më tani identitetin e tri viktimave: Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut.

Procesi i identifikimit po vazhdon për edhe 20 mbetje të tjera mortore. Institucionet e Kosovës po kërkojnë nga Serbia që të vërë në dispozicion një listë me 16 varreza masive, e cila ishte bërë publike në vitin 2001. Deri tani janë konfirmuar vetëm pesë zona të varrezave masive, ku janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë, e mendohet se në Serbi mund të ketë të paktën edhe 11 zona

Top Channel