Nisin përplasjet në marshimin kundër reformës së pensioneve në Paris (fotot)

28/03/2023 19:25

Fishekzjarre, kosha të djegur mbeturinash dhe një dyqan i shkatërruar ‘Leclerc’ ishte hapja e përplasjeve të pasdites së sotme në demonstratën e Parisit, me disa qindra protestues kundër reformës së pensioneve të qeverisë Macron.

Dhjetra mijëra njerëz dolën sot përsëri në protestë kundër reformës së presidentit Emmanuel Macron që ka ndezur krizën e brendshme më të rëndë të mandatit të tij.

Protesta e sotme është e dhjeta që prej nisjes së lëvizjes në janar, kundër ligjit të rritjes së moshës së pensioneve nga 62 në 64 vjeç, që tashmë është kthyer në një lëvizje të gjerë anti-qeveritare.

Të enjten e kaluar ndodhën përplasjet më të ashpra mes forcave të sigurisë dhe protestuese teksa tensionet u kthyen në beteja të dhunshëm në rrugët e Parisit.

Policia është akuzuar për dhunë të tepruar si nga protestuesit dhe nga organizata evropiane, çka ka shtuar më shumë zemërimin e demonstruesve.

Ministri i brendshëm francez Gerald Darmanin tha se 13,000 anëtarë të forcave të sigurisë ishin dislokuar sot në të gjithë Francën, 5,500 prej tyre vetëm në Paris. Sipas tij, numri rekord justifikohej nga një “rrezik madhor i rendit publik”.

Në qytetin perëndimor të Nantes, protestuesit qëlluan me objekte policinë, të cilët u kundërpërgjigjën me gazlotsjellës, raportonte gazetari i AFP.

Policia në Lyon në jugperëndim, përdori pompat e ujit dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve, siç ndodhi dhe në qytetin verior të Lille.

Të paktën 22 persona janë arrestuar deri pasditen e vonë në Paris.

FOTO GALERI
1/7
Fishekzjarre, kosha të djegur mbeturinash dhe një dyqan i shkatërruar ‘Leclerc’ ishte hapja e përplasjeve të pasdites së sotme në demonstratën e Parisit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA