Takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut anglez Rishi Sunak kishte më shumë retorikë se sa rezultate konkrete, sipas gazetarit Arben Manaj.

Në një lidhje direkte për “Top Story”, Manaj raporton se deri në këto momente nuk ka asnjë detaj për çfarë mund të jetë arritur në takimin e sotëm në Downing Street.

Manaj thotë se Rama gaboi që në dhjetorin e vitit të kaluar, me marrëveshjen që lejon që të kthehen menjëherë shqiptarët, duke ulur shanset e përfitimit të azilit.

“Nuk kishte çfarë të ndodhte ndryshe, sepse Rama i vuri vulën me marrëveshjen e dhjetorit, që komuniteti shqiptar në Britani nuk e arrin dot. Nuk mjafton vetëm retorike me ‘Taken’ apo Mr. Bean.

Do të doja që nga ky takim, Rama të kërkonte më shumë leje qëndrimi për ata shqiptarë që ndodhen këtu dhe për shtim të vizave, që në fakt janë shtuar së fundi.

Do të doja të kishte më shumë marrëveshje konkrete ekonomike. Ne na regjistrojnë si turist shqiptar, por nuk kemi ndonjë kompani turistike që sjell turistë në masë”.

Këtë të premte, në Downing Street, kryeministri anglez Rishi Sunak priti në takim homologun Edi Rama.

Në takimin që u bë me praninë e mediave, dy kryeministrat diskutuan për çështjet e emigrantëve, sigurinë dhe ekonominë. Ata shprehën vullnetin e përbashkët për t’i thelluar ato në të ardhmen, duke forcuar në të njëjtën kohë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në mënyrë të veçantë në luftën kundër sulmeve kibernetike.

Në takim u diskutua lufta kundër migracionit të paligjshëm. Sunak përmendi marrëveshjen e arritur në dhjetor të vitit të kaluar.

“Vitin e kaluar kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë në këtë drejtim”, u shpreh Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar.

Ndësa Rama theksoi se duam të sigurohemi që komunitet shqiptar në Britani të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar:

“Mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për tu luftuar dhe për të fituar këtë betejë. Sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA