Reforma Territoriale/ Librazhdi voton pro bashkimit me Prrenjasin, dështon opozita në Këshillin Bashkiak
Emri i Vlora Hysenit, e cila prej prillit të vitit 2023 drejton Shërbimin Informativ të Shtetit, është tashmë pjesë e një prej hetimeve të Prokurorisë së Posaçme që lidhet me dosjen e AKSHI-t.
Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si edhe pezullimin nga detyra. Në momentin e vendimit, Hyseni nuk ndodhej në Shqipëri. Sipas akuzave të ngritura nga SPAK, ajo dyshohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Përpara se të merrte drejtimin e SHISH-it, Hyseni kishte ndërtuar karrierën e saj në strukturat e inteligjencës së Kosovës. Ajo ka shërbyer në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, fillimisht në një pozicion që lidhej me marrëdhëniet me jashtë dhe më pas si zëvendësdrejtoreshë, detyrë që e mbajti nga viti 2019.
Karriera e saj në institucionin e inteligjencës së Kosovës u ndërpre në vitin 2021, kur presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi ta shkarkojë nga detyra.
Dy vite më vonë, emri i Hysenit do të rikthehej në vëmendje, këtë herë në Shqipëri. Më 17 mars 2023, kryeministri Edi Rama propozoi emrin e saj për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Propozimi u pasua nga diskutime politike, ndërsa opozita kërkoi që Presidenti i Republikës të shqyrtonte informacionet që lidhen me të kaluarën e saj profesionale dhe largimin nga detyra në Kosovë.
Pavarësisht debateve, Presidenti Bajram Begaj e dekretoi Hysenin në krye të SHISH-it më 3 prill 2023.
Që prej asaj kohe, ajo ka drejtuar institucionin përgjegjës për mbledhjen dhe analizimin e informacionit në funksion të sigurisë kombëtare. Tashmë, pas më shumë se tre vitesh në këtë detyrë, emri i saj është përfshirë në hetimin e SPAK për çështjen e AKSHI-t.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme dhe akuzat e Prokurorisë e vendosin Hysenin përballë një procesi të ri ligjor, ndërsa hetimi do të duhet të përcaktojë përgjegjësitë konkrete dhe rrethanat që lidhen me veprimet për të cilat ajo është vënë nën akuzë.
Top Channel