Marrëdhëniet SHBA-Iran, Rubio: Jemi të hapur për takim në OKB, por ende nuk ka një plan
Një 14-vjeçar ka ndjekur një vajzë që e kishte refuzuar për një takim dhe më pas e ka sulmuar me thikë në një dyqan në Cirencester, Gloucestershire, në Britaninë e Madhe.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 15 marsit. Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, adoleshenti ishte bërë i fiksuar pas vajzës, e cila ishte shoqe shkolle me të. Pasi ajo kishte refuzuar afrimet ndaj tij në dhjetor 2025, 14-vjeçari kishte krijuar llogari të rreme në rrjetet sociale për t’i dërguar mesazhe.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur ai i afrohet vajzës në mënyrë të qetë dhe më pas e sulmon disa herë me thikë. Një punonjës i dyqanit ndërhyn për ta larguar agresorin nga vajza, por edhe ai goditet me thikë në shpinë.
Në pamje të tjera, vajza shihet teksa vrapon nëpër dyqan, ndërsa 14-vjeçari e ndjek pas, ende i armatosur. Ajo arrin të dalë nga dyqani dhe kërkon ndihmë në një banesë aty pranë.
Vajza pësoi plagë në qafë, duar dhe fytyrë, si dhe dëmtime në shpinë. Pas sulmit, adoleshenti u largua nga vendngjarja, por u ndalua pak më vonë nga policia pranë zonës. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një thikë në xhepin e pantallonave.
Në gjykatë u bë e ditur se 14-vjeçari, i cili për arsye ligjore nuk mund të identifikohet, kishte pranuar fajësinë për plagosje me dashje, shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore pa dashje dhe mbajtje të një arme të ftohtë në një vend publik.
Ai u dënua me një urdhër referimi 12-mujor dhe një urdhër ndalimi kontakti prej tre vitesh. Në deklaratën e saj për gjykatën, vajza tha se pas sulmit ndihet e frikësuar dhe se edhe lëvizjet e papritura të njerëzve e bëjnë të trembet.
Ajo tregoi gjithashtu se ka makthe të përsëritura për sulmin dhe se ngjarja ka ndikuar në mënyrën se si ajo lëviz dhe ndihet e sigurt në zonën ku jeton.
“Jam e frikësuar dhe nervoze kudo që shkoj”, tha vajza në deklaratën e saj.
Detektivi Ian Fletcher, drejtues i hetimeve për çështjet serioze dhe komplekse në policinë e Gloucestershire, e cilësoi ngjarjen si një sulm të dhunshëm të kryer në mes të ditës.
Ai tha se vajza kishte qenë “shumë, shumë me fat” që kishte shpëtuar me plagë të konsideruara të lehta, duke shtuar se ngjarja mund të kishte përfunduar në mënyrë fatale.
Top Channel