Marrëveshje të reja janë arritur mes Londrës e Tiranës zyrtare, të cilat prekin një sërë fushash, por në fund fokusi, ashtu sikurse edhe pritej, më së shumti është hedhur te çështja akute e emigracionit të paligjshëm.

Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe ai shqiptar, Edi Rama, ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në tre fusha kryesore me interes të përbashkët, çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (me fokus kryesor luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm, rritjen ekonomike dhe investimet dhe inovacionin, rininë dhe edukimin.

Ujdia parashikon krijimin e një Task Force të Përbashkët në nivelin e ministrive të brendshme të të dy vendeve. Britania angazhohet të ofrojë mbështetje shtesë për qevërinë shqiptare dhe organizatat në lidhje me shërbimet e mbrojtjes dhe riintegrimit të të riatdhersuarve. Do të rriten po kështu kthimet në Shqipëri duke përfshirë personat mbi 18 vjeç, të cilët janë identifikuar nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Bashkuar si viktima të skllavërisë moderne dhe si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, siç përcaktohet në legjislacionin shqiptar. Kryeministri Rama shpjegoi se kjo ide në fakt, është e hershme, por vetëm tani po gjen zbatim.

“Kjo është një kërkesë e imja që në kohën kur Boris Johnson ishte ministër i jashtëm, dhe e kam përsëritur vazhdimisht sepse sa herë kanë ardhur dhe kanë ndarë me ne këtë shqetësim, unë kam qenë konsistent në të njëjtën gjë: Mos flisni për krim shqiptar, se nuk ekziston krimi shqiptar, krimi është krim, dhe nuk ka etni, nëse keni probleme dhe doni ndihmën tonë, ne jemi te gatshëm që bashkë me ju të ngremë një skuadër speciale, e cila të merret në 24 orë në kohë reale për identifikimin, ndarjen e informacionit, vëzhgimin dhe ndalimin e atyre elementeve që organizojnë këto rrjete të kriminalitetit e trafikut te klandestineve”, shpjegoi Rama.

Më herët, Sunak sqaroi se marrëveshja mes dy qeverive lejon që të kthehen menjëherë shqiptarët, duke ulur në minimum shanset e përfitimit të azilit. Sipas kryeministrit britanik, se “shumica dërrmuese” e shqiptarëve që mbërrijnë në Britaninë e Madhe pa viza do të kthehen menjëherë në atdhe falë kësaj ujdie.

Shqiptarët deri tani kanë përfituar nga procedurat e zgjatura të verifikimit nga Home Office. Pasi akomodoheshin në hotele në pritje të një vendimi që mund të zgjaste edhe një vit, ata ishin larguar duke përfituar nga kontaktet me të afërmit e tyre atje.

Top Channel