Aksident në zonën e Don Boskos/ Makina përplas motorin, drejtuesi në gjendje të rëndë Hetimet e Prokurorisë të Posaçme ndaj çështjes së AKSH-it kanë marrë një tjetër përmasë duke e shtrirë hetimin drejt strukturave më të rëndësishme të sigurisë së shtetit. Që në orët e para të mëngjesit, prokurorët e Posaçëm kanë ekzekutuar masa sigurie dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa dhe ambiente të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë.
Hetimet e kanë çuar SPAK drejt drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të shoqëruar me pezullimin nga detyra. Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se Hyseni po hetohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”. Kjo masë, nuk ka mundur dot të ekzekutohet pasi Vlora Hyseni ndodhet në një vizitë pune në Baku të Azerbajxhanit, ku merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.
Për të njëjtën dosje, kontroll personal dhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nën dyshimin se aty mund të gjendeshin prova dhe fakte me interes për hetimin. Pas kontrollit, agjentët e BKH shoqëruan Ilir Prodën drejt SPAK ku ai u pyet për gati 3 orë. Ilir Proda ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, deri në mars të vitit 2026, ku u shkarkua pas incidenteve të shkaktuara gjatë protestave.
Por emrat e Hysenit dhe Prodës nuk janë të vetmit që janë përfshirë në aksion. SPAK ka ekzekutuar edhe masa sigurie ndaj disa personave të tjerë, ndërsa kontrollet janë shtrirë në disa banesa dhe zyra.
Mes personave të vënë në pranga janë vendosur Fatjon Kalluçin, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, për veprën penale zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete dhe Embro Sulejmanin pronar biznesi në zonën e Durrësit për veprën përkrahje e autorit të krimit
Deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, personat ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie prezumohen të pafajshëm.
Njoftimi i SPAK:
SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Top Channel