Grupi privat izraelit ‘Team Jorge’ ka ndërhyrë në më shumë se 30 zgjedhje në botë me hakerime, sabotazh dhe lajme të rreme të krijuara nga ish-operativët e inteligjencës (fotot)

16/02/2023 16:12

Një kompani private izraelite me ish-operativë të inteligjencës ka tentuar të influencojë zgjedhjet në më shumë se 30 vende të botës për llogari të klientëve të saj me anë të hakërrimeve, sabotazhit dhe përhapjes së dezinformacionit, njoftonte sot një investigim i fshehtë mediatik.

Kompania e quajtur informalisht ‘Team Jorge’ hiqej si klientë e mundshme e grupeve politike e ekonomike të interesit, për të mbledhur informacion mbi metodat dhe aftësitë e tyre.

Kreu i saj Tal Hanan, ish-operativi i forcave speciale të Izraelit, mburrej në rrjetin social  Telegram se kontrollonte mijëra profile të rreme në rrjetet sociale, fuste në narrativën kryesore lajme lajme të rreme, të zbuluara ilegalisht ose të sajuara prej tij.

Investigimi u krye nga një konsorcium gazetarësh të 30 rrjeteve të ndryshme përfshirë Guardian në Britani, Le Monde në Francë, Der Spiegel në Gjermani dhe El Pais në Spanjë, të koordinuara nga OJQ-ja franceze, Forbidden Stories.

Në raport thuhet se ka një numër grupesh private nga e gjithë bota që po përfitojnë nga mjetet e reja dixhitale të infiltrimit dhe fuqia e rrjeteve sociale, për të manipuluar opinionin publik dhe influencimin e votuesve.

Metodat dhe teknikat e përdorura nga Team Jorge kanë krijuar sfida të reja për kompanitë teknologjike, shkruan ‘the Guardian’ në raportimin e saj.

“Ka prova për një treg global të dezinformacionit me objektiv kryesisht zgjedhjet, për llogari të individëve apo organizatave të panjohura”.

Hanan nuk i është përgjigjur deri tani akuzave, por mohon çdo shkelje të ligjit, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.

50-vjeçari raportohet i mburrej tre gazetarëve të infiltruar duke thënë se kryente “operacione të fshehta” në industrinë e informacionit, që bliheshin nga agjenci të inteligjencës, fushata politike apo kompani të tjera private.

“Jemi të përfshirë në zgjedhjet e një vendi në Afrikë, kemi një grup në Greqi dhe një në Emiratet e Bashkuara. Kemi kryer 33 fushata në nivel presidencial dhe në 27 patem sukses”, thotë ai mes të tjerash në regjistrim.

Duke i treguar aftësitë e tij gazetarëve ai dukej se kishte hapur një llogari email-i në Kenia, disa ditë para zgjedhjeve politike atje.

Forbidden Stories thotë se objektivat ishin dy ndihmësat e William Ruto, i cili fitoi zgjedhjet e gushtit 2022, të njollosura nga kaosi dhe përleshjet në qendrat e numërimit.

Hanan shtonte se grupi i tij kishte infiltruar një lajm në një prej rrjeteve më të mëdha franceze BFM për dënim që sanksionet ndaj Rusisë po shkaktonin në industrinë e jahteve atje.

Zhvillimi është i ngjashëm me kompani të tjera të sanksionuara në Perëndim për influencim në zgjedhjet e shteteve, si ajo britanike Cambridge Analytica – tashmë e mbyllur – për krijimin e programeve kompjuterike që kishin influencuar votuesit në zgjedhjet në SHBA.

Forbidden Stories është një platformë bashkëpunimi e ngritur në 2017 me iniciativën e gazetarit francez Laurent Richard, grupit gazetarët pa Kufij dhe rreth 30 media nga e gjithë bota.

FOTO GALERI
1/4
Kompania e quajtur informalisht 'Team Jorge' hiqej si klientë e mundshme e grupeve politike e ekonomike të interesit, për të mbledhur informacion

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA