Colombo “zbulon” Shqipërinë/ Sekretari i përgjithshëm i Ligave Europiane të futbollit, takime në Tiranë

15/02/2023 15:41

Sekretari i Përgjithshëm i Ligave Europiane, Alberto Colombo, zhvilloi një vizitë në Shqipëri, ku u takua me drejtuesit më të lartë të FSHF-së dhe me anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit në vendin tonë.

Në këtë takim ai u njoh me zhvillimet e futbollit shqiptar, projektet e FSHF-së si edhe me mbrojtjen e të drejtave të futbollit vendas, klubeve, lojtarëve dhe të tifozerisë. Në vijim vizita u spostua në stadiumin “Air Albania”, aty ku Alberto Colombo zhvilloi një takim edhe me  përfaqësuesit e 10 klubeve anëtare të ligës.

“Qëllimi kryesor i FSHF-së, i LPF-së dhe gjithkujt që merret me futbollin është zhvillimi i futbollit, i futbollit të fëmijëve, sigurimi i të ardhmes, por gjithsesi hapi i parë krijimit të Ligës padyshim që ka qenë bashkimi i klubeve të ‘Abissnet Superiore’. E mira dhe perspektiva do të ishte bashkimi i të gjithë klubeve profesioniste, sepse të gjithë duhet të bashkojnë forcat për të pasur më shumë të ardhura”, u shpreh Armand Duka.

Shoqata e Ligës Profesioniste Europiane është e përbërë nga 40 anëtarët më të rëndësishëm të futbollit europian dhe në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n.

“Ishte një takim interesant, mundësia e parë për Ligat Europiane që të zhvillonim këtë vizitë në bashkëpunim me Ligën Profesioniste të Futbollit shqiptarë. Kemi përgëzuar iniciativën për krijimin e kësaj lige, pasi është një hap thelbësor në procesin e zhvillimit të futbollit profesionist. Jemi shumë të lumtur që Ligën Profesioniste e Futbollit ka vendosur të bëhet anëtare e Ligave Europiane”, tha Alberto Colombo.

Më tej Alberto Colombo më tej vizitoi kompleksin Partizani, ku u prit nga drejtuesit e klubit kryeqytetas të cilët i prezantuan një nga investimet më të mëdha të futbollit në kryeqytet.

 

Top Channel