Një video e publikuar në rrjetet sociale ka shkaktuar një furtunë të vërtetë për Kylian Mbappé në Kinë.

Pas polemikave që lidhen me një meme ku sulmuesi francez krahasohej me ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun, pasojat kanë prekur edhe transmetimin televiziv të La Ligës. Televizioni shtetëror kinez CCTV vendosi të mos transmetojë dy ndeshjet e para të kampionatit spanjoll gjatë fundjavës, në një lëvizje që erdhi pas reagimeve të forta ndaj videos së futbollistit të Real Madridit.

Takimi mes Villarrealit dhe Espanyolit, i përfunduar me fitoren 1-0 të miqve, ishte i pari që mungoi në ekranet e CCTV-së pas njoftimit për pezullimin e transmetimeve. Megjithatë, ndeshja mund të ndiqej në platformën online Migu, në pronësi të operatorit shtetëror China Mobile. Edhe përballja mes Atletico Madridit dhe Levantes, e zhvilluar të shtunën, nuk u përfshi në programin e televizionit shtetëror. Një situatë e pazakontë, pasi sipas La Ligës, CCTV kishte transmetuar më parë drejtpërdrejt të gjitha ndeshjet e kampionatit spanjoll.

Gjithçka nisi pas publikimit të një videoje ku Mbappé diskutonte një meme që e paraqiste me fytyrën e vendosur mbi imazhe ikonike të Mao Ce Dunit. Episodi shkaktoi reagime të forta në tregun kinez, duke sjellë pasoja përtej ekranit televiziv.

Tri kompani që kishin përdorur emrin dhe imazhin e sulmuesit francez njoftuan gjithashtu ndërprerjen e kontratave me të. Kështu, një video që nisi si një episod në rrjetet sociale po kthehet në një problem serioz për marrëdhëniet tregtare të yllit të Real Madridit në një prej tregjeve më të mëdha të botës.

Top Channel