Ish-shefi i FBI-së, Charles McGonigal e deklaroi veten të pafajshëm përpara trupës së gjyqtarëve në Gjykatën e Washingtonit. Por përtej deklarimeve të Mcgonigal, politika shqiptare e ktheu sallën e parlamentit në një arenë përplasjesh verbale mes deputetëve.
Çështja po hetohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që nxitur debate në arenën politike shqiptare. Diskutimi vazhdon këtë mbrëmje në studion e “Top Story”.
Gazetarja Arbana Xharra thotë se është kërkuar të nisin hetimet ndaj një personi që punonte për interesat e opozitës shqiptare. Duke cituar mediat ndërkombëtare, Xhara thotë se aktakuza është e madhe dhe ka shumë detaje që ende nuk i dimë:
“Unë po bazohem në ‘Washington Post’, ‘CNN’ dhe në raportimet që po bëhen në mediat ndërkombëtare. Nuk përmendet Rama. Përmendet më tej një zyrtar nga Kosova, përmenden edhe zyrtarë nga Bosnja. Ne kemi vetëm një përmbledhje të aktakuzës, është një aktakuzë shumë e madhe, me shumë detaje që priten të dalin në vijim.
Në ‘Washington Post’ ka një detaj shumë interesant, thuhet se pas marrjes së këtyre parave, McGonigal kërkoi hetime ndaj një personi, një lobist shqiptaro-amerikan, përmes kompanisë së të cilit, ai kishte mbështetur opozitën në Shqipëri. Thuhet se është kërkuar të nisin hetimet ndaj këtij personi që punonte për interesat e opozitës shqiptare, pra të kundërshtarëve politikë të Edi Ramës.
Nuk dimë emrin se kush është i përfshirë nga Kosova. Nuk ka rëndësi se çfarë thotë Rama, rëndësi ka që ai nuk mund të ketë asnjë takim zyrtar me SHBA deri sa të përfundojë ky proces dhe të shohim çfarë do të dalë.
McGonigal mund të dënohet deri në 20 vite burg, kështu që emri i tij është lajm në mediat ndërkombëtare. Tashmë po diskutohen dy aktakuza, lidhjet me Shqipërinë dhe lidhjet me oligarkun rus”.
Top Channel