Kriza e strehimeve në Spanjë/ Gruaja 87-vjeçare u dëbua nga apartamenti i saj, shpërthejnë protestat në Spanjë, miratohet ndalimi i përkohshëm i dëbimeve
Policia holandeze ka arrestuar një 24-vjeçar nga Amsterdami, i dyshuar për lidhje me grupin ndërkombëtar të krimit kibernetik ShinyHunters, i cili pretendon se ka vjedhur të dhëna të ndjeshme të rreth 38 mijë punonjësve të FBI-së.
Autoritetet holandeze njoftuan se i dyshuari u arrestua më 15 shtator dhe ndodhet në paraburgim. Arrestimi kishte ndodhur përpara sulmit të dyshuar ndaj sistemeve të FBI-së më 21 shtator.
I riu dyshohet gjithashtu se ka tentuar të nxisë kryerjen e dy vrasjeve jashtë vendit. Gjatë kontrollit të pajisjeve të tij, hetuesit thanë se gjetën një sasi të madhe informacioni, përfshirë të dhëna që lidhen me dy vrasje të dyshuara se do të kryheshin jashtë Holandës.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, falënderoi autoritetet holandeze për arrestimin dhe tha se ekipet amerikane po bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për të ndjekur pista të reja që lidhen me hetimin.
Ndërkohë, Brett Leatherman, ndihmësdrejtor i FBI-së për hetimet kibernetike, u bëri thirrje anëtarëve të ShinyHunters të dorëzohen. Autoritetet holandeze nuk kanë përjashtuar arrestime të tjera në kuadër të hetimit.
ShinyHunters pretendoi javën e kaluar se kishte depërtuar në sistemet e FBI-së dhe kishte marrë të dhëna personale për rreth 38 mijë punonjës.
Sipas pretendimeve të grupit, informacioni përfshinte emrat, pozicionet, numrat e identifikimit, adresat e banimit dhe numrat e telefonit të agjentëve.
Grupi tha se kishte hyrë në sistemet e FBI-së më 21 shtator dhe një ditë më vonë nisi t’u dërgonte gazetarëve mostra dhe pamje të ekranit të të dhënave që pretendonte se kishte vjedhur.
ShinyHunters pretendon se ka shfrytëzuar një dobësi në sistemin cloud të Oracle, i përdorur nga FBI-ja, për të hyrë në disa sisteme të agjencisë.
Sipas grupit, ndër sistemet e prekura ishin FBIJOBS, një sistem që lidhet me kontrollet e të dhënave të punonjësve dhe aplikantëve, MedLink për të dhënat mjekësore të agjentëve dhe BICS, që përmban informacion hetimor.
Top Channel