NATO dënon kërcënimet e Moskës: Shenjë dëshpërimi, sulmet hibride dhe retorika e papërgjegjshme e Moskës nuk do na pengojë të mbështesim Ukrainën

30/09/2026 07:49

NATO ka dënon “retorikën bërthamore të papërgjegjshme” të Rusisë, të përfshirë në një tekst të dërguar nga Moska zyrtarëve të aleancës, duke denoncuar “provokimet” kundër enklavës ruse të Kaliningradit, tha sot zëdhënësja e saj.

“Ne dënojmë fuqimisht kërcënimin e përdorimit të forcës ushtarake, duke përfshirë çdo retorikë bërthamore të papërgjegjshme”, tha Alison Hart, duke konfirmuar se NATO e kishte marrë dokumentin dhe po i përgjigjej.

Ambasada ruse në Bruksel publikoi në platformën X përmbajtjen e këtij dokumenti, në të cilin Rusia shpreh “shqetësimin” e saj në lidhje me “veprimet provokuese” të NATO-s në lidhje me Kaliningradin, dhe ndaj të cilit Rusia është e gatshme të përgjigjet “me të gjithë arsenalin e saj”.

“Po shohim një rritje të paparë të aktivitetit ushtarak të Aleancës përgjatë kufijve tanë perëndimorë, që përfshijnë Kaliningradin”, shkroi ambasada.

Territori, ish-Königsberg në Prusinë Lindore, i aneksuar nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1945 dhe pa kufij të drejtpërdrejtë me Rusinë, kufizohet me Poloninë, Lituaninë dhe laget nga Deti Baltik.

“Rusia është gati të përdorë të gjithë arsenalin e saj për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s përpiqen të izolojnë rajonin e Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit tonë”, i shkroi gjithashtu Moska NATO-s.

Vendet e NATO-s janë të shqetësuara për rritjen e sulmeve hibride në territorin e tyre që i atribuohen Rusisë dhe kanë forcuar praninë e tyre ushtarake, veçanërisht përgjatë kufijve lindorë të Aleancës.

“Përdorimi i kërcënimeve hibride nga Rusia është një shenjë dëshpërimi, por ato nuk do të na pengojnë të mbështesim Ukrainën”, tha një zëdhënëse e NATO-s.

Top Channel