“E kishim seriozisht kur e thamë herën e parë”/ Dita e 122-të e tubimit në Tiranë, protestuesit kërkojnë përmbushjen e kërkesave

29/09/2026 20:20

Protesta kundër klasave politike në Tiranë ka hyrë në ditën e 122-të.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku vijuan fjalimet dhe thirrjet kundër qeverisë.

Në qendër të protestës vijojnë të jenë kërkesat për dorëheqjen e qeverisë, ndryshime politike dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore, e cila, sipas platformës së protestuesve, do të kishte një mandat të kufizuar për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Gjatë tubimit, aktivistë dhe qytetarë që morën fjalën nga podiumi përsëritën mesazhet e tyre kundër qeverisë dhe kërkuan që institucionet e drejtësisë të trajtojnë çështjet që ata ngrenë.

“Sot jemi në ditën e 122 të rezistencës. E kemi pasur seriozisht që nga fillimi kur e kemi thënë: nuk largohemi nga sheshi pa largimin e Ramës”, u shprehën protestuesit.

Protestat kanë vijuar për më shumë se tre muaj, ndërsa tubimet janë shoqëruar me marshime në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit dhe me slogane politike.

 

Top Channel