Disa kineastë kundërshtojnë ashpër projektligjin e ri për kinematografinë dhe audiovizualin. Një ndër zërat më të fortë kundër draftit është regjisori Joni Shanaj, i cili shprehet se nuk ndihet i përfaqësuar nga projektligji i ri.
Shanaj thekson se, duke qenë se projektligji prek Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK) dhe të gjithë aktivitetin kinematografik, autorët krijues duhet të ishin pjesë e procesit të konsultimit.
“Duke qenë se ligji prek QKK, prek të gjithë aktivitetin kinematografik, nuk është bërë asnjë konsultë me autorët krijues.”
Regjisori i referohet ligjit aktual, të hartuar në vitin 1996 nga ministri i atëhershëm i Kulturës, regjisori Dhimitër Anagnosti, duke theksuar se ai ka në fokus autorin.
Sipas Shanajt, ligji i ri e nënvlerëson krijuesin dhe cenon të drejtat e tij morale dhe ekonomike.
“Unë mund të thosha ka ndodhur një lloj puçi brenda institucionit QKK. Janë producentët që kanë fituar të gjithë pushtetin atje dhe bëjnë ligjin. Autorët gjenden nën trysninë e producentëve, shtëpive filmike.”
Projektligji i ri merr si shembull Italinë, por Shanaj sheh një problem në mënyrën se si janë marrë ligjet e shtetit fqinj për kinematografinë si referim.
“Problem është që me këtë projektligj këta e transformojnë QKK që është një entitet qendror sipas modelit të të gjitha institucioneve homologe në Evropë, dhe e kthejnë në një vatër kulture lokale. Kanë marrë si shembull ato që quhen komisione filmi.”
Shanaj shprehet se sheh vullnet nga ana e qeverisë për të bërë reforma, por njëkohësisht vëren ulje të buxhetit për kineastët.
“Buxhetet tona sa vijnë e ulen, nuk të pyesin fare. Dyshoj që vjen ngaqë ka konflikte interesi. Qeveria mund të ketë vullnet pozitiv në parim, por në praktikë nuk na ka përfillur fare. Mburren këta producentët shqiptarë me sa produksione kanë bërë filmin, sepse këta kanë hall sa para gjejnë gjatë rrugës. Unë thotë kam marrë 10 shtete në filmin tim, që është punë e tij. Nuk i intereson asnjërit në publik se me sa lekë e ke bërë ti filmin tënd.”
Duke folur edhe në cilësinë e pedagogut të Fakultetit të Artit Skenik, Joni Shanaj shpreh keqardhje për mungesën e hapësirës ndaj talenteve të reja, të cilat, sipas tij, nuk mungojnë.
“Ne kemi talente të jashtëzakonshme. Të gjithë talentet ikin nga Shqipëria, fatkeqësisht. Edhe kur kanë produkte të jashtëzakonshme, shpërfillen në Shqipëri.”
Kundër këtij projektligji, Shoqata e Kineastëve “Lumier”, me kryetar Joni Shanaj, ka dorëzuar një relacion pranë institucioneve përgjegjëse, me kërkesë për ndryshimin e projektligjit.
Top Channel