Skuadra e përçarë, Flick nën akuzë. Te Gjermania të gjithë kundër të gjithëve!

02/12/2022 14:53

Inat, zhgënjim, befasi. Kështu është zgjuar Gjermania pas eleminimit, për të dytën herë radhazi në fazën e grupeve të Botërorit.

Kishte ndodhur në 2018, u përsërit në 2022. Gjithçka pasi kishin ngritur trofeun në 2014. Te Gjermania e kanë të vështirë të kuptojnë, përse ata lojtarë që me Bajernin e Mynihut në Champions League shkëlqejnë, në kombëtare hasin vështirësi? Neuer, Kimich, Goretzka, Muller, Sane, Gnabry, Musiala: ishin 7 bavarezë në skuadër, por i vetmi që spikati ishte Musiala, më i riu dhe ai që ka fituar më pak. Përveç tij të tjerët nuk u panë, nuk ishin vendimtarë. Tradhëtuan sërish.

SKUADRA

Mediat kryesore gjermane tregojnë që nga disfata me Japoninë në debutim për një skuadër të ndarë në shumë grupe. Lojtarë të Bajernit kundër atyre të Dortmundit (5 të tillë), të rinj kundër veteranëve, sulmi kundër mbrojtjes. “Fundi i një skuadre mashtruese” titullon Sport1, që ngre gishtin e akuzës kundër sjelljes së lojtarëve. “Në grup kishte lojtarë që kanë fituar Championsin, që kanë dominuar Premier League, që kanë qenë kampionë bote, por nuk funksionoi asgjë”. Nuk ka qetësi në dhomat e zhveshjes, aq sa kundër Japonisë, Flick u kritikua për vendimin për të hequr Gundogan, më të mirin në fushë, për të futur Goretzka. “Një vendim i marrë për të mos mërzitur lojtarin e Bajernit dhe jo për motive tekniko-taktike”, akuzojnë mediat.

Flick sipas tyre ka qenë shumë i mirë me lojtarët, akuzë që në të kaluarën i është bërë dhe Joachim Loë. Tekniku akuzohet edhe se nuk kuptoi se kishte ardhur momenti për të ndryshuar mënyrën e lojës, që kur u tërhoq Klose Gjermania nuk ka një sulmues të vërtetë në zonë. Mungojnë golat. Shtypi kishte kërkuar futjen e Fullkrug në vend të Myller, por nuk u dëgjua nga trajneri. Rezultati: I pari në 66 minuta të luajtura shënoi dy gola duke dhënë dhe një asist. Lojtari i Bajernit luajti më shumë se trefishin e tij, (204 minuta) pa shënuar dhe pa dhënë asnjë asist.

Edhe këtu në vendimet e trajnerit ka ndikuar emri i lojtarëve dhe jo gjendja e tyre aktuale. Edhe për këtë arsye atmosfera në dhomat e zhveshjes ka qenë aq e ndezur, sa Federata Gjermane e Futbollit vendosi që skuadra të largohet menjëherë nga Katari, që të premten. “Me humorin që kemi, nuk ka kuptim të rrimë këtu edhe një ditë më shumë”, – shpjegoi drejtori sportiv i kombëtares gjermane Liver Bierhoff. Ekziston ndjesia se disa lojtarë sa më pak të rrinë me njëri tjetrin aq më mirë është.

FEDERATA

Nën akuzë është dhe Federata Gjermane e Futbollit dhe Bierhoff: “Polemika për shiritin me ngjyrat e ylberit nuk u bë në kohën e duhur, dhe arriti deri aty sa të bëhej argumenti kryesor mes lojtarëve pak orë para debutimit me Japoninë”, shkruajnë mediat. Bild është shumë e ashpër. “Data 1 dhjetor 2022 është ajo që përfaqëson fundin e një kombi të madh futbollistik. Katër herë kampionë të Botës, 3 herë kampionë të Europës. Por e gjitha kjo nuk është më. Dhe përgjegjës për këtë janë federata, tekniku dhe lojtarët. Bierhoff dështoi në detyrën për të ricuar Gjermaninë në maja. Mes Botërorit dhe Europianit është i treti turne madhor ku dështojmë mjerisht”.

Kicker dhe Bild nënvizojnë edhe faktin se Spanja bëri gjithcka për të mos fituar ndeshjen me Japoninë. “Spanjollëve ju leverdis kështu”. Edhe Myller saktësoi, “vetëm teorikisht kishim fatin tonë në duar, pasi nëse do të kishim fituar 8-0 do të kalonim me 100% por edhe nëse je në formë, të fitosh me atë rezultat nuk është e lehtë. Ekzistonte ndjesia se kalimi i turit varej nga ne, por në të vërtetë ndeshja mes Spanjës dhe Japonisë ishte vendimtare në rast fitoreje të aziatikëve”. Sjellja e skuadrës së Luis Enrique është vënë re dhe është nënvizuar në Gjermani, por u bë shumë kohë që kombëtarja gjermane zhgënjen, për ta shpjeguar vetëm kështu eleminimin.

Rudiger ndërkohë provoi të zhvendosë vëmendjen nga ndeshja e Spanjës: “Duhet të mendojmë për veten tonë, peshon humbja me Japoninë. Edhe në një ndeshje vendimtare si ajo me Kosta Rikën pësuam dy gola. Në aspektin mbrojtës nuk bëmë mirë, nuk funksionojmë. Të kesh talent nuk mjafton, shpresoj që tani ta kenë të gjithë të qartë. Duhet të jesh i egër, të kesh uri”.

Edhe Kimich bën autokritike: “Nuk mund të flasim gjithmonë për fatin e keq. Në vitet e fundit kemi shpërdoruar shumë shanse, dhe sipas meje edhe në këtë sfidë mund të fitonim 8-0”.

VIP-at

Lothar Mathaus ngre gishtin e akuzës kundër Bierhoff: “U bënë vite që jemi në vështirësi, ai duhej të ishte udhëheqësi. Besoj se është e drejtë të ngrihen pikëpyetje edhe mbi pozicionin e tij”. Michael Ballack ndërkohë përmend emrin e Flick: “Të gjitha figurat në brendësi të federatës duhet të rivlerësohen. Mes tyre edhe Flick. Të gjithë janë në diskutim. Nuk duhet të bëjmë si në 2018, kur Presidenti i Federatës tha se pasi kishte arsyetuar kishte vendosur të vazhdohej me Joachim Loë”. Me pak fjalë, procesi sapo ka nisur. Në Gjermani kanë nevojë për të kapërdirë inatin dhe zhgënjimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA