Bizneset që prodhojnë vetë energjinë elektrike nga burime alternative do kenë mundësi tja kalojnë atë OSHEE.
Bëhet fjalë për biznese që kanë vendosur panele diellore apo shfrytëzojnë erën. Sipas ministres së energjetikës, në fund të vitit OSHEE do bëjë balancën e energjisë se shpenzuar dhe asaj të kthyer në rrjet.
Kjo është një kërkesë e hershme e biznesit. Me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike shumë prej tyre i janë drejtuar alternativa të tjera si impiantet fotovoltaike për të ulur kostot e faturës, por tepricat e prodhimit t’i shkojnë dëm. Ministrja e energjisë Belinda Balluku u shpreh se ndryshimet ligjore do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2023.
Një tjetër kërkesë e dhomave të biznesit ishte edhe subvencionimi i çmimit për bizneset që e marrin energjinë në treg të lirë. Tashmë çmimi i blerjes së energjisë për to është 31.29 lekë kW/h. Ndërsa, për bizneset në tension të mesëm çmimi qëndron në 18.26 lekë kWh.
Sipas tyre konkurrenca po bëhet e padrejtë pasi në industri të njëjta paguhen çmime të ndryshme energjie, gjë që mund të sjellë falimentimin e shumë kompanive. Thjeshtimi i procedurave burokratike për marrjen e lejeve të paneleve diellore ishte një tjetër kërkesë e bizneseve, që pritet të shqyrtohet.
Top Channel